Interesat fetare mposhtin të drejtat e komunitetit LGBTI+ në Gjykatën Supreme të SHBA-së

Amerika

Interesat fetare mposhtin të drejtat e komunitetit LGBTI+ në Gjykatën Supreme të SHBA-së

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 12:52
Fotografi ilustruese nga një protestë për të drejtat e komunitetit LGBTI+ para objektit të Gjykatës Supreme të SHBA-së në Uashington, më 8 tetor 2019.

Gjykata Supreme e SHBA-së ka vendosur pro interesave fetare mbi të drejtat e komunitetit LGBTI+ (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor dhe ndërgjinor), duke lejuar një dizajnere të krishterë të mos i ofrojë shërbimet e veta për martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Në një vendim të marrë më 30 qershor, të mundësuar nga shumica konservatore e Gjykatës Supreme të SHBA-së, gjykata mbështeti Lorie Smith, e cila ka një biznes për dizajnim të uebfaqeve të quajtur 303 Creative.

Ajo e paditi komisionin e të drejtave civile të Kolorados në vitin 2016 sepse tha se kishte frikë se do të ndëshkohej pasi kishte refuzuar t’u shërbente personave të gjinisë së njëjtë që donin të martoheshin shkaku i një ligji shtetëror që ua ndalon bizneseve t’ua mohojnë mallrat ose shërbimet njerëzve të caktuar për shkak të racës, gjinisë, orientimit seksual, fesë apo karakteristikave të tjera të tyre.

Vendimi, duke cituar mbrojtjen e Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së për fjalën e lirë, konstatoi se Kolorado nuk mund ta detyrojë Smithin të krijojë diçka që ajo e kundërshton.

Edhe pse u trajtua në gjykatë si një çështje që ka të bëjë me fjalën e lirë, rasti i Smith ka tipare të ngjashme me disa përplasje të tjera të kohëve të fundit mes aktivitetit të motivuar fetarisht dhe ligjeve për të drejtat civile.

“Ne jemi dëshmitarë të një zgjerimi dramatik të të drejtave për komunitetet fetare konservatore, që ka pasur një ndikim të dëmshëm për të drejtat e barabarta për njerëzit LGBTQ”, tha Elizabeth Platt, drejtoreshë e Projektit për Ligj, të Drejta dhe Fe në Shkollën e Drejtësisë të Kolumbisë.

Kolorado është një nga 22 shtetet e SHBA-së që parasheh masa që ndalojnë në mënyrë eksplicite diskriminimin bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Smith, e cila tha se kundërshton martesën e homoseksualëve bazuar në besimet e saj të krishtera, u përfaqësua nga Aleanca Mbrojtja e Lirisë, një grup konservator për të drejtat fetare.

“Gjykata ritheksoi se është antikushtetuese që shteti t’i eliminojë nga sfera publike idetë që nuk i pëlqejnë, duke përfshirë besimin se martesa është bashkimi i burrit dhe gruas”, tha Kristen Waggoner, presidentja e grupit që mbrojti Smithin.

“Mosmarrëveshjet nuk janë diskriminim dhe qeveria nuk mund ta keq-etiketojë fjalimin si diskriminim vetëm për ta censuruar atë”, shtoi Wagoner.

Aleanca Mbrojtja e Lirisë ka përfaqësuar edhe palë të tjera, përfshirë një bukëpjekës në Kolorado, Jack Phillips, i cili refuzoi, bazuar në besimet e tij të krishtera, të bënte një tortë martese për një çift homoseksual.

Në vendimin e saj të vitit 2018 për këtë rast kundër Komisionit të të Drejtave Civile të Kolorados, gjykata vendosi se komisioni kishte treguar armiqësi të palejueshme ndaj fesë duke konstatuar se Phillips shkeli ligjin e shtetit kundër diskriminimit.

Gjyqtarët në atë rast nuk dhanë një vendim përfundimtar mbi rrethanat në të cilat njerëzit mund të kërkojnë përjashtime të bazuara në fe nga ligjet kundër diskriminimit. Megjithatë, vendimi ilustron një pabarazi në mënyrën se si gjykata i sheh të drejtat e komunitetit LGBTI+ në krahasim me interesat konservatore të krishtera, tha Platt.

“Gjykata e trajtoi pretendimin e Jack Phillips për diskriminim me respekt dhe ndjeshmëri ekstreme, ndërkohë që hodhi poshtë plotësisht diskriminimin ndaj çifteve të të njëjtit seks në atë rast”, tha Platt.

Në vitin 2021, Gjykata Supreme e SHBA-së trajtoi edhe një rast tjetër që kishte të bënte me tensionet mes mbrojtjes së barazisë dhe lirisë fetare.

Në rastin “Fulton kundër qytetit të Filadelfias”, gjykata përkrahi të drejtat fetare mbi të drejtat e komunitetit LGBTI+, duke vendosur pro pretendimeve të një agjencie të lidhur me Kishën Katolike që kishte ngritur padi pasi Filadelfia refuzoi t’ia aprovonte vendosjen e fëmijëve në kujdestari meqë agjencia nuk i lejonte edhe çiftet e gjinisë së njëjtë të birësonin fëmijë.

Përbërja e gjykatës u ndryshua pas pensionimit të gjyqtarit Anthony Kennedy në vitin 2018, i cili u zëvendësua nga gjyqtari Brett Kavanaugh, një nga tre gjyqtarët konservatorë të emëruar nga ish-presidenti republikan, Donald Trump. Dy gjyqtarët e tjerë janë Neil Gorsuch – autori i vendimit të së premtes – dhe Amy Coney Barrett.

Kennedy kishte qenë gjyqtarin me votën më të lëkundshme në atë që atëherë ishte një gjykatë me shumicë konservatore 5-3. Ai u dallua mes konservatorëve për përkrahjen e tij si për kauzat konservatore të krishtera, ashtu edhe për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, përfshirë personat LGBTI+.

Në vitin 2020, kur Trump emëroi Barret si pasues të ish-gjyqtares liberale Ruth Bader Ginsburg, gjykata kaloi në shumicë konservatore 6-3.

“Kjo gjykatë vazhdon të avancojë agjendën e ekstremistëve fetarë të cilët po përpiqen të na detyrojnë të gjithëve të jetojmë sipas besimeve të tyre”, tha Rachel Laser, presidente e grupit laik Amerikanët e Bashkuar për Ndarjen e Kishës nga Shteti.

Pas vendimit të së premtes, paditësja Smith tha se shpreson që “pavarësisht çfarë njerëzit mendojnë për mua apo për besimet e mia, të gjithë do ta festojnë vendimin e gjykatës për të mbrojtur të drejtën e gjithsecilit të flas lirshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat