SHBA ngre akuza ndaj një individi për kontrabandë drejt Rusisë të komponentëve elektronikë ushtarakë

Amerika

SHBA ngre akuza ndaj një individi për kontrabandë drejt Rusisë të komponentëve elektronikë ushtarakë

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 06:39
Foto ilustrim

Prokurorët amerikanë ngitën akuza të enjten ndaj një ruso-gjermani i cili dyshohet për kontrabandë drejt Rusisë të komponentëve elektronikë ushtarakë, për përdorim të mundshëm në luftën e atij vendi kundër Ukrainës.

Arthur Petrov, një 33-vjeçar me shtetësi ruse dhe gjermane, u arrestua në Qipro më 26 gusht me kërkesë të qeverisë amerikane, sipas një deklarate nga zyra e prokurorisë së Manhatanit.

Petrov dhe dy bashkëpunëtorë të paidentifikuar rusë akuzohen për përdorimin e kompanive guackë për të fshehur procedurat e prokurimit nga kompanitë amerikane të pajisjeve elektronike që u nënshtrohen kontrolleve amerikane të eksportit.

Prokurorët thanë se teknologjia ishte e destinuar për firmën Electrocom, një furnizues i komponentëve elektronikë me qendër në Shën Petersburg të Rusisë për kompanitë që ofrojnë armë dhe pajisje të tjera për ushtrinë ruse.

Ndër të akuzuarit është edhe bashkëthemeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë Electrocom, sipas kallëzimit penal që bë publik të enjten.

I dyshuari Petrov përballet me 11 akuza penale, përfshirë shkeljen e ligjeve amerikane për kontrollin e eksporteve, kontrabandë, mashtrime bankare, pastrim parashë, dhe akuza të tjera. Çdo akuzë mbart një dënim maksimal nga pesë deri në 20 vjet burg.

Sipas kallëzimit penal, teknologjia e kontrabanduar përfshinte komponentë të rikuperuar nga pajisjet ushtarake ruse të gjetura në fushat e betejës në Ukrainë, të tilla si raketa me telekomandë, dronë dhe pajisje të tjera luftarake.

Kontrabanda e komponentëve që kapin shumën mbi 225,000 dollarë zgjati nga shkurti i vitit 2022 deri në gusht 2023, sipas kallëzimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat