Çështja ndaj ish presidentit Trump në Xhorxhia, prokurorja kërkon mbrojtjen e jurisë

Amerika

Çështja ndaj ish presidentit Trump në Xhorxhia, prokurorja kërkon mbrojtjen e jurisë

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 21:55
Prokurorja e Xhorxhias

Prokurorja e Xhorxhias që ka ngritur aktpadi ndaj ish presidentit Donald Trump dhe 18 të tjerëve për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet, po i kërkon gjykatësit të çështjes të ndërmarrë hapa për të mbrojtur anëtarët e jurisë.

Lëvizja e prokurores së qarkut Fulton Fani Willis vjen pasi anëtarët e jurisë së madhe që ngritën 41 akuza ndaj ish presidentit Trump dhe të pandehurve të tjerë u bënë pre e sulmeve kur të dhënat e tyre u postuan në internet.

Është një reflektim i polarizimit të opinionit publik në Shtetet e Bashkuara rreth çështjeve penale kundër ish-presidentit, raporton VOA.

Prokurorja Willis shkroi në kërkesën e paraqitur të mërkurën se informacioni rreth jurisë së madhe ishte publikuar "me qëllimin për t'i ngacmuar dhe frikësuar anëtarët e jurisë". Për më tepër, thuhej në kërkesë, të dhënat personale për zonjën Willis, një grua me ngjyrë, të familjes dhe stafit të saj janë postuar në internet “të ndërthurura me komente nënçmuese dhe raciste”.

Kamerat televizive lejohen vazhdimisht në sallat gjyqësore në Xhorxhia, por kameramanët dhe fotografët udhëzohen rregullisht të mos shfaqin imazhe të jurisë. Gjatë procesit të përzgjedhjes së jurisë, anëtarët identifikohen kryesisht me numër dhe jo me emër.

Prokurorja Willis po i kërkon gjyqtarit të Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Scott McAfee, që të ndalojë të pandehurit, mediat ose këdo tjetër që të krijojë ose publikojë imazhe, përfshirë video, fotografi dhe skicime të anëtarëve të jurisë, ose anëtarëve të mundshëm të saj.

Ajo po kërkon gjithashtu që gjyqtari të ndalojë publikimin e çdo informacioni që do të ndihmonte në identifikimin e tyre, “veçanërisht përshkrimet fizike, numrat e telefonit, adresat, emrat e punëdhënësve”.

Ekspertët ligjorë kanë thënë se është procedurë standarde për rastet e padive në shtetin e Xhorxhias që të përfshihen emrat e anëtarëve të jurisë së madhe, pjesërisht sepse u jep mundësi të pandehurve për të kundërshtuar përbërjen e jurisë.

Pra, emrat e 23 anëtarëve të jurisë së madhe që dëgjuan provat e prokurores së qarkut dhe votuan për miratimin e akuzave, u përfshinë në aktakuzë. Ata u bënë menjëherë viktima të “doxxing”, që është shkurtim i fjalës “dropping dox” që i referohet postimit në internet të informacionit për dikë, përgjithësisht në përpjekje për ta ngacmuar, kërcënuar, turpëruar ose për t’u hakmarrë ndaj tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat