Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është “plotësisht i aftë” për të kryer detyrat e presidencës, sipas një memorandumi të Shtëpisë së Bardhë të publikuar sot pas ekzaminimit mjekësor vjetor të Trump.
Shënimi liston rezultatet e testeve laboratorike, ekzaminimet fizike dhe një testi njohës dhe konkludon se Trump mbetet në "shëndet të shkëlqyer".
Sipas raportit, Trump peshon rreth 101.6 kilogramë dhe është 190.5 cm i gjatë. Në pushim, pulsi i tij është 62 rrahje në minutë dhe presioni i gjakut është 128/74 mmHg, transmeto KosovaPress.
Trump shënoi 30 nga 30 në testin e Vlerësimit Njohës të Montrealit, thuhet në shënim.
Ekzaminimet e sistemeve të ndryshme të trupit ishin normale, duke përfshirë sytë, kokën, veshët, hundën dhe fytin. Mjeku vuri re një mbresë në veshin e tij të djathtë, rezultat i një atentati në Pensilvani vitin e kaluar.
“Presidenti ka funksion të fortë kardiologjik, pulmonar, neurologjik dhe fizik të përgjithshëm”, ka shkruar Sean Barbabella. Stili i tij aktiv i jetës kontribuon ndjeshëm në shëndetin e tij”.
Si dëshmi e këtij stili jetese, Barbabella përmend pjesëmarrjen e Trump në takime, daljet publike dhe "fitoret e shpeshta në turnetë e golfit".
Në dokument thuhet gjithashtu se Trump ka pasur më parë një operacion të kataraktit, por nuk ka specifikuar se kur.
“Presidenti Trump demonstron shëndet të shkëlqyer njohës dhe fizik dhe është plotësisht i aftë të kryejë detyrat e komandantit të përgjithshëm dhe kreut të shtetit”, përfundon memorandumi.