Miliarderi që mbështet Trumpin: Amerika është një markë, tani e kemi rrezikuar me tarifat

Amerika

Miliarderi që mbështet Trumpin: Amerika është një markë, tani e kemi rrezikuar me tarifat

Më: 27 prill 2025 Në ora: 06:41
Trumpi

Kenneth Griffin, mbështetës i presidentit amerikan, Donald Trump dhe megadonator i kandidatëve republikanë, drejtoi disa fjalë jashtëzakonisht të ashpra në drejtim të 78 vjeçarit.

Duket se shkaku i luftës tregtare dhe humbjes së pasurisë, miqtë kanë filluar të humbin durimin me liderin amerikan.

“Shtetet e Bashkuara ishin më shumë se thjesht një komb. Ato ishin një markë. Një markë universale, qoftë për kulturën tonë, fuqinë financiare, fuqinë ushtarake… Amerika ishte ngritur përtej të qenit thjesht një vend… dhe tani ne po e dëmtojmë atë markë”, tha ai në një samit ekonomik në Uashington.

Themeluesi i një prej fondeve më të mëdha të investimeve në botë, paralajmëroi se tregtarët janë të shqetësuar për investimet e tyre në Shtetet e Bashkuara – veçanërisht për investimet në obligacionet shtetërore – sepse tarifat e vendosura nga Trumpi kanë shkatërruar besimin se Amerika do të mbetet një aktor i besueshëm dhe racional në tregjet financiare globale.

“Nëse mendoni për mënyrën si silleni si konsumatorë, sa herë blini një produkt me një markë të njohur sepse i besoni asaj marke? Në tregjet financiare, asnjë markë nuk mund të krahasohet me markën e obligacioneve shtetërore amerikane – fuqia e dollarit amerikan dhe forca e kreditit të obligacioneve amerikane. Asnjë markë nuk i afrohet kësaj. Dhe ne këtë markë e kemi vënë në rrezik”, theksoi ai, shkruan cnn.

Obligacionet shtetërore amerikane kanë qenë tradicionalisht streha më e sigurt për investitorët. Kur situatat bëhen të vështira, investitorët zakonisht mbështeten te siguria e perceptuar e obligacioneve për të “parkuar” investimet e tyre, ndërsa aksionet më të rrezikshme dhe të paqëndrueshme bien.

Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur muajt e fundit. Ndërsa lufta tregtare e Trumpit u përshkallëzua, investitorët filluan të tremben se Shtetet e Bashkuara mund të dëmtojnë seriozisht ekonominë globale – por edhe më keq, ekonominë e tyre dhe ndoshta në mënyrë të parikuperueshme reputacionin e tyre.

Miliarderi e krahasoi markën amerikane me një çantë të punuar me mjeshtëri ose me një prodhues të besueshëm veturash “por, nëse kompanitë që prodhojnë këto marka përballen me një skandal publik, dëmi në reputacion mund të jetë pothuajse i pamundur për t’u riparuar”.

“E dini, mund të blini një fustan të ngjashëm pa emër për më pak para, por ju dëshironi një fustan për të cilin jeni të bindur se nuk do të shpërbëhet për dy javë. Mund të kalojë një kohë shumë e gjatë – shumë e gjatë – për të pastruar njollën nga një markë”, vazhdoi ai.

Miliarderi theksoi se Trumpi dhe këshilltarët e tij kanë shumë punë për të bërë për të ndrequr pasojat negative të luftës tregtare.

“Presidenti, sekretari i Thesarit dhe sekretari i Tregtisë duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm se kur keni një markë, duhet të silleni në një mënyrë që ta respektojë dhe forcojë atë markë. Sepse kur njollosni një markë të tillë, riparimi i dëmit të shkaktuar mund të zgjasë gjithë jetën”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat