Venezuela po kërkon që një vajzë 2-vjeçare t’i kthehet familjes, pasi Shtetet e Bashkuara i deportuan prindërit dhe e mbajtën fëmijën në paraburgim qeveritar.
Ministria e jashtme e Venezuelës të hënën akuzoi ShBA-në për “rrëmbimin” e Maikelys Antonella Espinoza Bernal, duke thënë se ajo ishte ndarë nga nëna e saj teksa po hipte në një fluturim deportimi për në Venezuelë.
Ajo tha gjithashtu se babai i vajzës, Maiker Espinoza-Escalona, ishte deportuar më parë nga ShBA-ja në një burg famëkeq në El Salvador.
“ShBA-ja kreu edhe një herë veprën penale jashtëzakonisht të rëndë të ndarjes së familjeve dhe largimit të një të miture nga mjedisi i saj emocional dhe, në veçanti, nga nëna e saj biologjike”, thuhej në një deklaratë nga qeveria e Venezuelës të hënën.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së (DHS) mohoi se e kishte rrëmbyer vajzën, duke argumentuar se po përpiqej ta mbronte atë nga prindërit e saj, të cilët i akuzoi pa prova se ishin pjesë e Tren de Aragua (TDA), një bandë venezueliane që ShBA-ja e ka shpallur organizatë terroriste.
Babai beson se është akuzuar si anëtar i një bande sepse ka tatuazhe, por ai mohon se ato kanë të bëjnë me bandat, sipas deklaratës së tij të paraqitur në gjykatë në fillim të marsit, raporton CNN.