Pentagoni: Mund të ketë konfrontim ushtarak midis Rusisë dhe SHBA-së nëse nuk zgjidhet kriza ukrainase

Amerika

Pentagoni: Mund të ketë konfrontim ushtarak midis Rusisë dhe SHBA-së nëse nuk zgjidhet kriza ukrainase

Më: 14 maj 2025 Në ora: 21:54
Pentagoni

Nëse kriza në Ukrainë përkeqësohet, është e mundur një përballje e drejtpërdrejtë ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, paralajmëroi gjenerali Gregory Guillot, komandant i Komandës Veriore të SHBA-së (USNORTHCOM), në një deklaratë me shkrim drejtuar Senatit.

Guillot u shpreh para senatorëve amerikanë se “gjasa e një konflikti të SHBA-së me një nga katër kundërshtarët kryesorë – Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin – është në rritje”, shkruan newsweek.

Sipas gjeneralit, edhe pse këto vende përpiqen të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë të armatosur me SHBA-në, bindja e tyre në rritje për “rënien e Perëndimit” i nxit ato të sfidojnë Amerikën në arenën globale dhe rrit rrezikun e vlerësimeve të gabuara në situata krize.

Guillot përmend disa skenarë të mundshëm të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë që mund të çojnë në një konflikt të drejtpërdrejtë me SHBA-në, por thekson gjithashtu se situata në Lindjen e Mesme rrezikon ta tërheqë Amerikën në një konflikt ushtarak me Iranin dhe aleatët e tij.

Ai paralajmëron gjithashtu se tensionet rreth Tajvanit, në Detin Jugor të Kinës dhe në Gadishullin Korean paraqesin një rrezik të vazhdueshëm për shpërthimin e një konflikti me Kinën apo Korenë e Veriut.

Në fjalën e tij, gjenerali veçoi për theksim thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut, duke përmendur pjesëmarrjen e trupave koreano-veriore në luftime në rajonin rus të Kurskut, si edhe ushtrimet e përbashkëta ushtarake ruso-kineze në Arktik.

Pavarësisht tensioneve në rritje, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë po tregojnë disa shenja normalizimi.

Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Moskës janë intensifikuar. Negociatorë nga të dyja palët po vizitojnë si Rusinë, ashtu edhe SHBA-në, dhe takimet po zhvillohen edhe në vende të treta, si Arabia Saudite. Gjatë këtyre bisedimeve, palët janë pajtuar për rivendosjen e funksionimit të ambasadave.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve po kthehen në rrugën e normalizimit, duke theksuar se Moska është e përkushtuar ndaj një dialogu të barabartë dhe një balanci interesash.

Sipas burimeve ruse, në këto bisedime është përmendur edhe mundësia e bashkëpunimit në Arktik. Kreu i Fondit Rus për Investime të Drejtpërdrejta, Kiril Dmitriev, ka deklaruar se të dyja palët po shqyrtojnë projekte të përbashkëta, veçanërisht në fushën e kërkimit të burimeve energjetike dhe natyrore.

Sipas raportimit të mediave amerikane, si Bloomberg, Uashingtoni e sheh këtë bashkëpunim si një mjet të mundshëm për të ndarë Rusinë nga Kina, me fokus në interesat ekonomike në rajonin arktik. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat