Trump pësoi një goditje të rëndë në Kongres nga republikanët “kokëfortë”

Amerika

Trump pësoi një goditje të rëndë në Kongres nga republikanët “kokëfortë”

Më: 17 maj 2025 Në ora: 10:05
Donald Trump

Propozimi për reformën gjithëpërfshirëse tatimore të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pësoi një humbje politike, kur pesë anëtarë republikanë të Komisionit për Buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve votuan kundër ligjit, duke kërkuar prerje më të thella në shpenzime.

Kjo çoi ligjin në një krizë serioze proceduriale, që përbën një humbje të rrallë për udhëheqësin republikan në Kongres.

Votimi erdhi pavarësisht thirrjes së liderit amerikan për unitet brenda partisë. “Nuk kemi nevojë për ‘aktorë’ në Partinë Republikane. Ndaluani fjalët dhe bëni punën,” u shpreh Trump përmes rrjeteve sociale.

Pesë anëtarë republikanë të Kongresit – Ralph Norman, Chip Roy, Andrew Clyde, Josh Brecheen dhe Lloyd Smucker – iu bashkuan të 16 demokratëve në komision, duke votuar kundër masës. Ata refuzuan të mbështesin ligjin pa prerje shtesë në programin e kujdesit shëndetësor për të varfrit (Medicaid) dhe pa heqjen e plotë të lehtësirave tatimore për energjinë e gjelbër që kanë miratuar demokratët.

“Këtu nuk bëhet fjalë për teatër”, tha kongresisti Norman nga Karolina e Jugut dhe shtoi se “jemi të gatshëm për kompromis, por nuk do të japim gjithçka që kemi”.

Komisioni do të mblidhet sërish të dielën në mbrëmje, në një orar të rrallë në orën 22:00 me orën lokale, për të shqyrtuar ligjin.

Sipas draftit aktual, ligji do të rrisë borxhin shtetëror amerikan, që aktualisht është 36.2 trilionë dollarë, me triliona të tjerë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Ligji parashikon vazhdimin e lehtësirave tatimore të vendosura gjatë mandatit të parë të Trumpit. Komisioni i Përbashkët i Kongresit për Tatimet vlerëson se kjo do t’i kushtojë shtetit 3.72 trilionë dollarë në dekadën në vijim. Ndërsa Trump dhe republikanët thonë se ulja e taksave për pagat e punonjësve dhe orët shtesë do t’i ndihmojë klasën punëtore, kritikët paralajmërojnë se përfitimet kryesore do t’i marrin më të pasurit.

Demokratët e quajtën ligjin “dhuratë për miliarderët” dhe paralajmërojnë se prerjet e propozuara në Medicaid dhe sigurimin shëndetësor të subvencionuar sipas Ligjit për Kujdesin e Përballueshëm do të çojnë në humbjen e mbulimit shëndetësor për 8.6 milionë amerikanë.

Republikanët janë të ndarë në tre grupe: moderatët që kërkojnë rritjen e përjashtimit tatimor për taksat shtetërore dhe lokale (SALT); konservatorët e fortë që kërkojnë që rritja e SALT të kompensohet me prerje më të thella në Medicaid dhe heqjen e lehtësirave tatimore për energjinë e gjelbër; dhe një grup tjetër moderatësh që kundërshtojnë prerje më të mëdha në programet sociale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat