Dollari fiton vlerë

Amerika

Dollari fiton vlerë

Më: 18 maj 2025 Në ora: 18:05
Ilustrim

Në tregjet Forex, vlera e dollarit kundrejt një shporte valutash u rrit për të katërtën javë radhazi, falë lehtësimit të tensioneve tregtare pasi dy shtetet më të fuqishme ekonomike botërore arritën një marrëveshje për uljen e përkohshme të tarifave për nëntëdhjetë ditë ndërkohë do të vazhdojnë negociatat tregtare.

Indeksi, i cili mat vlerën e dollarit amerikan kundrejt gjashtë monedhave kryesore botërore, u rrit 0.55 për qind javën e kaluar, në 100.98 pikë. Kursi i euros ra me 0.7 për qind, në 1.1165 dollarë. Monedha amerikane është forcuar edhe ndaj asaj japoneze, me 0.2 për qind, duke arritur në 145.65 jen.

Fundjavën e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina arritën një marrëveshje për një ulje të përkohshme të tarifave reciproke gjatë negociatave në Zvicër. Sipas marrëveshjes, Shtet e Bashkuara të Amerikës uli tarifat për importet nga Kina nga 145 në 30 për qind dhe Kina uli tarifat për importet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 125 në 10 për qind.

Mbështetja për dollarin u dha nga të dhëna të qëndrueshme ekonomike, veçanërisht nga raporti i inflacionit. Në muajin prill, çmimet e konsumit në SHBA nuk u rritën ndjeshëm, pavarësisht vendosjes së tarifave.

Analistët vlerësojnë se Fed do të ulë normat e interesit dy herë këtë vit, me 0.25 pikë përqindje secila, por vetëm në vjeshtë.

Drejtuesit e Fed kanë thënë se vendosja e tarifave mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, ndërsa inflacioni mund të forcohet, ndaj të dhënat e ardhshme ekonomike duhet të priten përpara se të merret një vendim për normat e interesit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat