Djali më i madh i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Don Jr, tha të mërkurën se mund të kandidojë për president “ndoshta një ditë”, pasi më parë mohoi se po shqyrtonte një kandidaturë për Shtëpinë e Bardhë.
I pyetur gjatë një forumi në Doha nëse do të shqyrtonte hyrjen në një garë presidenciale për të pasuar të atin, Don Jr fillimisht qeshi përpara se të sugjeronte se ishte e mundur, shkruajnë mediat e huaja.
“Është një nder të të pyesin dhe një nder të shohësh se disa njerëz janë dakord me këtë”, tha ai gjatë një diskutimi në panel në Forumin Ekonomik të Katarit të Bloomberg.
“Kurrë nuk i dihet”, shtoi ai.
Donald Trump Jr, 47 vjeç, është një nënkryetar ekzekutiv në Organizatën Trump, konglomeratin luksoz të pasurive të patundshme të familjes së tij, dhe një mbështetës i zëshëm i axhendës politike të krahut të djathtë MAGA të babait të tij.
Në mars, faqja e internetit me prirje të majta Mediate raportoi se Don Jr “po shqyrtonte seriozisht një kandidim për president në vitin 2028”, gjë që ai e mohoi në atë kohë.
Por të mërkurën, Don Jr nuk e përjashtoi një kandidim për Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk e di, ndoshta një ditë,…”, i tha ai forumit Bloomberg.
“Mendoj se babai im e ka ndryshuar vërtet Partinë Republikane…”, shtoi ai.
Organizata Trump është drejtuar nga dy djemtë më të mëdhenj të presidentit, Don Jr dhe Eric, që nga fitorja e tij në zgjedhjet e vitit 2016.
Ndërsa presidenti nuk mban më një titull ekzekutiv, ai ka ruajtur aksionet e tij në biznesin familjar nëpërmjet një “entiteti”.