Qeveria kanadeze tha se është në bisedime me SHBA-në për t’u bashkuar me sistemin e saj të propozuar të mbrojtjes nga raketat “Golden Dome”, që synon të kundërshtojë kërcënimet ajrore të “gjeneratës së ardhshme”.
Zyra e kryeministrit Mark Carney tha se ka “diskutime aktive” midis Kanadasë dhe SHBA-së mbi sigurinë, duke përfshirë programet ekzistuese dhe të reja si Golden Dome.
Presidenti amerikan Donald Trump zbuloi planin për sistemin e ri të mbrojtjes nga raketat më herët të martën, duke njoftuar një shumë fillestare prej 25 miliardë dollarësh për ta ndërtuar atë. Ai shtoi se Kanadaja ka shprehur interes për t’u bashkuar.
Ekspertët kanë dyshime se si SHBA-të do të ofrojnë një sistem gjithëpërfshirës dhe është e paqartë se si do të marrë pjesë Kanadaja ose sa do të paguajë.
Hapja e Kanadasë për t’u bashkuar me sistemin e propozuar Golden Dome vjen mes negociatave të vazhdueshme tregtare dhe të sigurisë midis dy vendeve, pasi Trump kërcënoi me tarifa të larta për Kanadanë dhe tha se do të ishte më mirë si shtet i SHBA-së.
Kjo nxiti një valë patriotizmi kombëtar në Kanada që solli një fitore historike zgjedhore për qeverinë liberale të Carney-t.
“Kanadezët i dhanë kryeministrit një mandat të fortë për të negociuar një marrëdhënie të re gjithëpërfshirëse sigurie dhe ekonomike me Shtetet e Bashkuara”, tha Audrey Champoux, zëdhënëse e Carney.
“Për këtë qëllim, kryeministri dhe ministrat e tij po zhvillojnë diskutime të gjera dhe konstruktive me homologët e tyre amerikanë”, tha ajo.
“Këto diskutime natyrisht përfshijnë forcimin e NORAD-it dhe iniciativave të lidhura si Golden Dome”, shtoi Champoux.
Ajo gjithashtu theksoi se është shumë herët për të thënë se çfarë mund të paguajë Kanadaja në program, ose si do të funksionojë për vendin.
Më herët të martën, Trump tha se Kanadaja ka shprehur interes për të qenë pjesë e Golden Dome.
“Ne do të flasim me ta. Ata duan gjithashtu të kenë mbrojtje, kështu që si zakonisht, ne e ndihmojmë Kanadanë”, tha presidenti amerikan.
Trump tha se programi i ri i raketave mbrojtëse Golden Dome do të jetë funksional deri në fund të mandatit të tij në detyrë, dhe se do të ketë një çmim prej 175 miliardë dollarësh.
Ai shtoi se administrata e tij po pret që Kanadaja të “paguajë pjesën e saj të drejtë”.
Kanadaja dhe SHBA-të tashmë janë partnerë në Komandën e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut, e njohur edhe si NORAD – një sistem që është përgjegjës për mbikëqyrjen hapësinore dhe detare, paralajmërimin dhe mbrojtjen e rajonit, dhe që mund të zbulojë dhe rrëzojë raketat.
NOARD ka qenë në fuqi që nga viti 1958, dhe të dy vendet vitet e fundit janë angazhuar në diskutime për ta modernizuar atë.
Trump tha se Golden Dome e propozuar ka për qëllim të synojë armë ajrore gjithnjë e më të sofistikuara, dhe do të përfshijë sensorë dhe interceptorë hapësinorë.
Ai tha se sistemi do të jetë “i aftë edhe të interceptojë raketa të lëshuara nga ana tjetër e botës, ose të lëshuara nga hapësira”.
Është pjesërisht i frymëzuar nga Kupola e Hekurt e Izraelit, të cilën vendi e ka përdorur për të interceptuar raketa që nga viti 2011.
Ekspertët kanë shprehur dyshime nëse SHBA-të do të jenë në gjendje të ndërtojnë një sistem mbrojtës të ngjashëm gjithëpërfshirës, duke pasur parasysh masën e saj më të madhe tokësore.