Fotografi britanik qëllohet me plumb gome në Los Angeles, tregon se si erdhi deri tek lëndimi

Amerika

Fotografi britanik qëllohet me plumb gome në Los Angeles, tregon se si erdhi deri tek lëndimi

Më: 9 qershor 2025 Në ora: 18:07
Fotoreporteri britanik, Nick Stern

Fotoreporteri britanik, Nick Stern u lëndua rëndë gjatë një proteste në Los Angeles, pasi u godit nga policia me një plumb gome.

Stern deklaroi se plumbi, i cili ka gjatësi rreth 7.5 cm, i ka depërtuar në lëkurë dhe ka lënë një vrimë prej afërsisht pesë centimetrave në këmbë.

Duke folur nga shtrati i spitalit për BBC, Stern tha se ka një plagë të hapur dhe do t’i duhet terapi fizike.

“Në karrierën time më kanë goditur me plumba gome edhe më parë dhe atëherë thjesht kisha një hematom të dhimbshëm që zgjaste disa ditë. Por këtë herë, çfarëdo që më goditi, më depërtoi në lëkurë”, tha ai.

Fotografi me mbi 30 vjet përvojë pune deklaroi se gjithmonë përpiqet të jetë i dukshëm gjatë protestave dhe mban shenja që e identifikojnë si anëtar të medias.

“Nuk fshihem pas veturave apo ndërtesave – të shtunën unë isha fjalë për fjalë në mes të rrugës kur u godita”, tha ai.

Stern nuk e di nëse ishte goditur me qëllim, “ndoshta policia po qëllonte dikë që ishte afër meje. Nuk e di. Nuk mund të them”.

Ndryshe, protestat filluan të premten pasi u zbulua se oficerët e Zbatimit të Doganave të Imigracionit (ICE) po kryenin bastisje në të gjithë qytetin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat