Izraeli po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake kundër Iranit në ditët në vijim – pa mbështetjen amerikane, kanë thënë burime të ndryshme për mediat amerikane.
Raportet vijnë ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thuhet se është në diskutime të avancuara me Iranin në lidhje me një marrëveshje diplomatike për të kufizuar programin bërthamor të vendit të Lindjes së Mesme.
Por thuhet se Izraeli është bërë më serioz në lidhje me një sulm të njëanshëm ndaj Iranit, pasi negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit duken më afër një marrëveshjeje paraprake ose kornizë që përfshin dispozita në lidhje me pasurimin e uraniumit.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Izraeli i sheh këto dispozita si të papranueshme.
Prandaj, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu po shqyrton një sulm ndaj Iranit, i thanë një ndihmës i Capitol Hill dhe burime të tjera të njohura me çështjen rrjetit partner amerikan të Sky News, NBC News.
Siç vlerësojnë mediat, një sulm izraelit ndaj Iranit do të ishte një ndarje dramatike me administratën Trump, e cila ka argumentuar kundër një veprimi të tillë.
Perspektiva e një fronti të ri në konfliktin në Lindjen e Mesme ka shtyrë administratën Trump të urdhërojë të gjitha ambasadat brenda distancës së goditjes nga raketat, aeroplanët dhe asetet e tjera iraniane, të dërgojnë kabllograme me vlerësime rreth kërcënimit të mundshëm për amerikanët dhe infrastrukturën amerikane, sipas dy burimeve të njohura me çështjen.
Shtëpia e Bardhë ende nuk i ka informuar politikanët e lartë mbi situatën, sipas një zyrtari amerikan.
Raportet kanë dalë pasi Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se kishte urdhëruar evakuimin e të gjithë personelit jo-thelbësor nga ambasada e saj në Bagdad, Irak, për shkak të potencialit për trazira rajonale.
Megjithatë, ajo nuk përmendi ndonjë sulm të mundshëm nga Izraeli ndaj Iranit kur njoftoi këtë veprim.
Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Departamenti i Shtetit shqyrton rregullisht personelin amerikan jashtë vendit dhe ky vendim u mor si rezultat i një shqyrtimi të kohëve të fundit”.
Kjo vjen ndërsa SHBA-të po autorizojnë gjithashtu largimin e personelit jo-thelbësor dhe anëtarëve të familjes nga Bahreini dhe Kuvajti – duke i dhënë stafit një zgjedhje nëse do të largohen nga këto vende.
Një burim qeveritar irakian i tha agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit se Bagdadi nuk ka regjistruar asnjë tregues sigurie që kërkon evakuimin.
Në ambasadën amerikane në Bagdad kishte tashmë një staf të kufizuar dhe urdhri nuk do të ndikojë në një numër të madh personeli.
Ndërkohë, ushtarakët e Bahreinit dhe Kuvajtit do të kenë mundësinë të largohen nga këto vende me shpenzimet e qeverisë dhe me ndihmën e qeverisë.
I pyetur pse personeli amerikan po zhvendoset nga Lindja e Mesme, Trump tha të mërkurën në mbrëmje: “Ata po zhvendosen sepse mund të jetë një vend i rrezikshëm dhe do të shohim se çfarë ndodh”.
Ndërsa kur u pyet nëse ka diçka që mund të bëhet për të ulur tensionet në rajon, presidenti amerikan tha: “Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore, shumë e thjeshtë, ata nuk mund të kenë një armë bërthamore, ne nuk do ta lejojmë këtë”.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të takohet me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në kryeqytetin e Omanit, Muscat, të dielën për të diskutuar përgjigjen iraniane ndaj një propozimi të kohëve të fundit të SHBA-së, sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, e cila citoi një zyrtar amerikan.
SHBA-ja dhe Irani janë angazhuar në bisedime që synojnë kufizimin e programit bërthamor të Teheranit në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve shkatërruese ekonomike që Amerika i ka vendosur vendit.
Por Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor.