Teherani nuk është në pozitë të kërkojë armëpushim si parakusht për negociata, thotë Fred Fleitz, nënkryetar i Institutit “America First Policy” dhe ish-zëvendësasistent i presidentit amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.
Në një intervistë të dhënë më 20 qershor — përpara se Shtetet e Bashkuara të ndërmerrnin sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane — Fleitz i tha Radios Evropa e Lirë se veprimet ushtarake mund t’i shkaktojnë dëme serioze programit bërthamor të Iranit, i cili, sipas tij, është tashmë afër përftimit të armës bërthamore.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ishte Izraeli që inicioi sulmet, në një kohë kur kishte negociata mes SHBA-së dhe Iranit.
Fred Fleitz: Izraeli vendosi që nuk mund të priste më gjatë, për shkak të përparimit të madh që kishte bërë programi bërthamor i Iranit.
Nuk ka një qëndrim të unifikuar për qëllimin përfundimtar të Iranit. Inteligjenca amerikane ka thënë se Teherani ende nuk ka marrë vendim për të ndërtuar një bombë. Si e justifikoni këtë me ndërhyrje ushtarake?
Fred Fleitz: Inteligjenca amerikane për programin bërthamor të Iranit është politizuar prej kohësh. Faktet janë, dhe këtë e bëri të qartë dje drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, se Irani ka mbledhur të gjitha pjesët dhe teknologjinë që i duhen për të nisur menjëherë ndërtimin e një bombe. Ajo që po ndodh në thelb është se megjithëse Irani ndoshta tashmë ka një armë funksionale, nuk e ka pajisur ende me material bërthamor. Komuniteti i inteligjencës dëshiron të thotë se kjo nënkupton se Irani nuk ka një program armësh bërthamore dhe nuk ka vendosur të ndërtojë bombë. Mendoj se kjo është një analizë e pakuptimtë dhe është një mënyrë e të menduarit që agjencitë tona të inteligjencës duhet ta ndryshojnë.
Por cilat janë provat konkrete që sipas jush tregojnë se Irani është pranë ndërtimit të një bombe bërthamore?
Fred Fleitz: Irani ka mbledhur 900 paund uranium të pasuruar U-235 në nivelin 60%. Kjo është e mjaftueshme për të pajisur me material bërthamor nëntë deri në dhjetë bomba. Një sasi e tillë uraniumi nuk ka qëllime paqësore. Ne e dimë që Irani ka të paktën tre plane për ndërtimin e bombës. Ne e dimë që Irani është i përfshirë në testime për të ndërtuar një armë bërthamore. Ne e dimë që Irani ka mashtruar në mënyrë të vazhdueshme në kuadër të marrëveshjes bërthamore [të arritur me fuqitë perëndimore më 2015] për të siguruar teknologji për ndërtimin e armës. E dimë gjithashtu që Irani i ka ndërtuar pothuajse të gjitha objektet e tij bërthamore në fshehtësi, përfshirë objektet në Natanz dhe në Fordo.
Objekti i Fordos, që është një qendër pasurimi thellë nën tokë, u zbulua nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore shumë kohë pasi kishte filluar të funksiononte. Kjo është një shkelje e detyrimeve që Irani ka sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Nëse programi bërthamor i Iranit është paqësor, pse po ndërton kaq shumë objekte të mëdha në fshehtësi, pa i deklaruar në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore?
Atëherë pse komuniteti i inteligjencës në SHBA heziton ta pranojë këtë, nëse është kështu?
Fred Fleitz: Sepse inteligjenca është politizuar. Është interesante që drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, aktualisht po shkarkon dhe transferon oficerë të lartë të inteligjencës që kanë përpiluar vlerësime të tilla, sepse ata kanë politizuar analizat e tyre për shumë vite.
Zoti Fleitz, për të kaluar në një çështje tjetër, a po konsiderohet ndërrimi i regjimit në Iran si një objektiv strategjik në Uashington dhe Jerusalem?
Fred Fleitz: Presidenti Trump nuk është i interesuar të ndjekë një politikë për ndërrim regjimi. Ai mendon se kjo është punë e popullit iranian. Kjo nuk ka shkuar mirë për SHBA-në në të kaluarën. Por, duke thënë këtë, nëse këto bombardime ndaj Iranit rrëzojnë këtë regjim, që ka varfëruar popullin dhe ka sjellë gjithë këtë shkatërrim mbi vendin e vet për një program bërthamor të pakuptimtë, mendoj se populli iranian dhe popujt e botës do të jenë mirënjohës.
Disa ekspertë paralajmërojnë se vdekja eventuale e liderit suprem iranian, ajatollah Ali Khameneit, nuk do të sjellë liberalizim, por mund të çojë drejt një regjimi më të ashpër ose të militarizuar. A e ndani këtë shqetësim?
Fred Fleitz: Po, jam i shqetësuar për këtë. Nuk e di se kush do ta udhëheqë Iranin nëse bie udhëheqësi suprem. Mendoj se kjo është një nga arsyet pse SHBA-ja duhet të qëndrojë jashtë politikave për ndërrim regjimi në këtë rast