Trump thotë se do të duhet ta shqyrtojë mundësinë e deportimit të Elon Musk

Amerika

Trump thotë se do të duhet ta shqyrtojë mundësinë e deportimit të Elon Musk

Më: 1 korrik 2025 Në ora: 16:01
Trump thotë se do të duhet ta shqyrtojë mundësinë e deportimit të Elon Musk

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se do të shqyrtonte mundësinë e deportimit të miliarderit Elon Musk, ndërsa grindja e tyre u rigjallërua për shkak të një projektligji për shpenzimet e mbështetur nga republikanët.

"Nuk e di. Do të duhet ta shqyrtojmë," u tha Trump gazetarëve kur u pyet nëse do ta deportonte Musk, transmeton AA.

Vërejtjet e tij erdhën pasi CEO i Teslës ripërtëri kritikat e tij për një projektligj për uljen e taksave dhe shpenzimet gjithëpërfshirëse dhe u zotua të lançonte një parti të re politike nëse miratohet nga Kongresi.

Trump sugjeroi që Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) duhet të rishikojë subvencionet për kompanitë e Musk.

"Ndoshta duhet ta vendosim DOGE-n mbi Elon. E dini çfarë është DOGE? DOGE është përbindëshi që mund të duhet të kthehet dhe ta hajë Elon," tha ai.

Elon është "shumë i mërzitur" sepse humbi mandatin për automjetet elektrike, tha Trump, duke shtuar se miliarderi "mund të humbasë shumë më tepër se kaq".

Marrëdhënia midis Trump dhe Musk, dikur e karakterizuar nga bashkëpunimi dhe mbështetja e ndërsjellë, është përkeqësuar në një grindje shumë publike dhe të ashpër që kur Musk filloi të kritikonte projektligjin në fund të majit.

Muajin e kaluar, Musk propozoi themelimin e një partie të re politike, duke i pyetur ndjekësit e tij në X nëse është “koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që në fakt përfaqëson 80% të popullsisë në mes”.

Më vonë, Musk mbështeti sugjerimin e një mbështetësi për ta emëruar partinë e re “Partia Amerikane”, ngjashëm me America PAC (Komiteti i Veprimit Politik) që ai themeloi vitin e kaluar, i cili shpenzoi 239 milionë dollarë duke mbështetur Trumpin dhe republikanët e tjerë në zgjedhjet e vitit 2024.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat