Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të shitur armë aleancës së NATO-s, me qëllim që ato të përfundojnë në duart e ushtrisë ukrainase, ka shkaktuar reagime të forta nga një pjesë e konservatorëve të lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), të cilët e akuzojnë se po shkel zotimin e tij për të ndalur përfshirjen e SHBA-së në luftëra të huaja.
Trump njoftoi të hënën se SHBA do të mbështesë ushtarakisht Ukrainën përmes NATO-s dhe paralajmëroi Rusinë për tarifa të reja tregtare, nëse nuk arrin një marrëveshje për armëpushim me Kievin brenda 50 ditësh.
Kritikët brenda radhëve të tij nuk vonuan të reagojnë. Deputetja republikane Marjorie Taylor Greene, një nga aleatet më të ngushta të Trump, dhe Steve Bannon e kundërshtuan vendimin, duke e cilësuar krizën në Ukrainë si një “çështje evropiane”.
Greene, në një intervistë për New York Times, deklaroi se ky veprim bie ndesh me premtimet që Trump kishte dhënë gjatë fushatës.
“Nuk është thjesht çështje e Ukrainës. Ka të bëjë me luftërat jashtë vendit dhe ndihmën e huaj në përgjithësi. Këtë i kemi premtuar votuesve tanë, dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim,” theksoi ajo.
Presidenti e ka paraqitur marrëveshjen si përfituese për SHBA-në, duke theksuar se armët nuk do të dhurohen, por do të prodhohen në Amerikë dhe do të paguhen nga vendet evropiane.
“Nuk po i blejmë. Ne do t’i prodhojmë dhe do paguhemi për to,” tha ai të hënën.
Por Greene ka hedhur dyshime serioze mbi këto pretendime, duke deklaruar publikisht se taksapaguesit amerikanë nuk do të mbeten të paprekur. Në një postim në rrjetet sociale, ajo kritikoi ashpër “marrëveshjet e fshehta përmes NATO-s” dhe shtoi: “Pa asnjë dyshim, fondet e taksapaguesve tanë po përdoren.”
Ajo përmendi gjithashtu kostot e tërthorta si dërgimin e instruktorëve ushtarakë amerikanë apo kontributet në NATO, duke i konsideruar si pjesë të një përfshirjeje të plotë në konflikt.
“E kam thënë në çdo tubim: mjaft më me para për Ukrainën. Duam paqe. Vetëm paqe për këta njerëz. Dhe e dini çfarë? Njerëzit nuk kanë ndryshuar qëndrim,” shtoi ajo.
Një ish-anëtar i ekipit elektoral të Trump, që foli në kushte anonimiteti për Politico, deklaroi se fakti që vendet evropiane do të mbulojnë kostot ka zbutur disi tonin e kritikëve të linjës së ashpër brenda lëvizjes MAGA. “Por sërish, nuk jemi dakord. Kjo nuk është lufta jonë dhe përshkallëzimi nuk është në interesin e Amerikës,” tha ai.
Steve Bannon, në podcastin e tij War Room, e quajti luftën në Ukrainë “shumë të rrezikshme” dhe theksoi: “Është luftë evropiane. Le të merret Evropa me të. Ata kanë burimet dhe fuqinë punëtore.” Ai paralajmëroi për rreziqet e furnizimit me armë të një vendi “mbi të cilin nuk kemi asnjë kontroll”.
“Po përgatitemi të armatosim njerëz që nuk i kontrollojmë fare,” shtoi ai. “Kjo është një luftë e vjetër, brutale, në tokat e përgjakura të Evropës – dhe po na tërheqin edhe neve.”
Zëvendës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Ana Kelly, në një koment për Politico, u përpoq të zbusë kritikat duke theksuar se “bazat e mbështetësve të Trump nuk po bien në panik siç pretendojnë mediat”. Sipas saj, “ata kanë besim te Trump dhe e dinë se ai rikthen paqen përmes fuqisë”.
Një tjetër zyrtar i administratës Trump, gjithashtu në kushte anonimiteti, theksoi se një pjesë e madhe e mbështetësve të Trump mbështesin ndihmën për Ukrainën. Sipas një sondazhi të fundit, thuajse dy të tretat e votuesve të tij janë pro vazhdimit të ndihmës ushtarake për Kievin.
Ndërkohë, zyrtarë të mbrojtjes kanë theksuar se qasja e Trump për “Amerikën në radhë të parë” nuk përjashton bashkëpunimin ndërkombëtar, por synon aleanca të barabarta dhe të drejta.
Në një postim në platformën X, zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Elbridge Colby, shkroi: “Mesazhi i Trump ‘Amerika e Para’ do të thotë që aleancat tona duhet të jenë të drejta dhe të balancuara.”