Në vitet 1990, fushat me domate në Florida mbulonin mbi 24 mijë hektarë dhe qindra ferma familjare ishin në lulëzim. Sot, më pak se gjysma e këtij territori është ende në përdorim, dhe fermerët amerikanë fajësojnë një vend të vetëm: Meksikën.
Financial Times shkruan se presidenti Donald Trump ka ndërmarrë masa në favor të fermerëve të Floridës, duke vendosur në korrik një tarifë prej 17% mbi domatet meksikane. Ai akuzoi prodhuesit meksikanë se po shesin nën kosto për të dëmtuar tregun amerikan. Për fermerët e SHBA-ve, kjo tarifë shihet si një mundësi për të shpëtuar një industri në rënie. “Ishte një surprizë e këndshme që administrata Trump mori masa për ne,” tha Bob Spencer, president i kompanisë West Coast Tomato në Florida.
Meksika aktualisht furnizon mbi 60% të domateve të freskëta të konsumit në SHBA, gjë që e ka bërë atë një objektiv të rregullt të politikave tregtare të Trump-it. Përmes këtyre tarifave, Trump synon të mbrojë prodhimin vendas, duke përdorur mjete të veçanta ligjore që nuk janë pjesë e marrëveshjeve të zakonshme tregtare.
Fermerët meksikanë i hedhin poshtë akuzat dhe thonë se kanë përparuar më shumë në teknologji, larmi produktesh, dhe efikasitet krahasuar me fermat tradicionale amerikane. Ata paralajmërojnë se tarifa po shkakton ndërprerje në sektorin meksikan të domateve, i cili vlen mbi 7 miliardë dollarë dhe punëson rreth gjysmë milioni njerëz. Në mungesë të një marrëveshjeje të re, ndikimi mund të jetë i thellë për të dyja palët.
Ndërkohë, SHBA-të nuk kanë zëvendësim të menjëhershëm për domatet meksikane, veçanërisht gjatë dimrit. Çmimet në treg pritet të rriten deri në 11.5%, dhe ndërkohë që SHBA-të kërkojnë të forcojnë prodhimin e vet, do të kërkohen investime të mëdha në teknologji dhe tokë, çka do të rrisë edhe më tej çmimet për konsumatorët.