Ka ndërruar jetë këtë të hënë, më 11 gusht, senatori kolumbian dhe kandidati për president Miguel Uribe Turbay, i cili u qëllua me armë gjatë një mitingu politik në muajin qershor.
Familja e tij njoftoi se politikani ndërroi jetë në një spital në kryeqytetin e vendit, Bogota. Siç shkruan Associated Press, politikani 39 vjeçar, u qëllua tri herë (dy herë në kokë) ndërsa mbante një fjalim elektoral në një park, dhe që atëherë ka qenë në gjendje të rëndë në kujdesin intensive.
“Pusho në paqe, dashuria e jetës sime. Do të kujdesem për fëmijët tanë,” shkroi bashkëshortja e tij, Maria Claudia Tarazona, në një postim në rrjetet sociale ku konfirmonte vdekjen e tij. “I lutem Zotit të më tregojë rrugën për të mësuar të jetoj pa ty.”
Lidhur me ngjarjen u arrestua një adoleshent në vendin e ngjarjes më 7 qershor, në një lagje punëtore të Bogotës. Autoritetet më vonë ndaluan edhe disa persona të tjerë, por ende nuk është përcaktuar se kush e urdhëroi atentatin apo pse.
Atentati, i filmuar nga disa kamera, alarmoi opinionin publik në Kolumbi, i cili nuk kishte përjetuar dhunë të tillë politike ndaj kandidatëve presidencialë që nga vitet 1990, kur bosi i drogës në Medellin, Pablo Escobar, i shpalli luftë shtetit.