Rubio: Lirimi i shtetasi amerikan nga talibanët afgan, hap i rëndësishëm përpara

Amerika

Rubio: Lirimi i shtetasi amerikan nga talibanët afgan, hap i rëndësishëm përpara

Më: 28 shtator 2025 Në ora: 22:28
Ministri amerikan i Jashtëm, Marco Rubio

Ministri amerikan i Jashtëm, Marco Rubio, e ka cilësuar si një “hap të rëndësishëm përpara” lirimin e shtetasit amerikan Amir Amiri, i cili mbahej peng në Afganistan nga talebanët që prej dhjetorit të vitit 2024.

Rubio përshëndeti lirimin e Amirit dhe theksoi se administrata amerikane është e përkushtuar për të siguruar lirimin e të gjithë qytetarëve të tjerë amerikanë që mbahen ende në mënyrë të padrejtë në Afganistan.

“Ndërsa kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara, qytetarë të tjerë amerikanë vijojnë të mbahen peng pa të drejtë. Presidenti (Donald) Trump nuk do të ndalet derisa të rikthehen të gjithë qytetarët tanë të zënë rob,” thuhet në deklaratën e Rubio-s.

Lajmi për lirimin e Amirit u konfirmua më herët sot edhe nga vetë talebanët. Një zyrtar i paidentifikuar tha për agjencinë Reuters se Amiri është nisur drejt Dohas gjatë mbrëmjes së sotme.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për çështjet e pengjeve, Adam Boehler, kishte vizituar Kabulin disa ditë më parë për të zhvilluar negociata për shkëmbim të të burgosurve.

Në një deklaratë në platformën X, Ministria e Jashtme e talebanëve e cilësoi lirimin e Amirit si dëshmi se “zgjidhjet mund të gjenden përmes rrugëve diplomatike”, duke konfirmuar se ai iu dorëzua një përfaqësuesi të presidentit Trump. Talebanët falënderuan gjithashtu Katarin për rolin ndërmjetësues në këtë proces.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat