Takimi në Uashington: Trump lavdëron Zelenskyn — ja çfarë kërkoi presidenti ukrainas

Amerika

Takimi në Uashington: Trump lavdëron Zelenskyn — ja çfarë kërkoi presidenti ukrainas

Më: 17 tetor 2025 Në ora: 19:54 Përditësuar në ora: 23:10 më 17.10.2025
Pamje nga takimi

Shtëpia e Bardhë publikon foto bardhë e zi nga takimi Trump-Zelensky

Shtëpia e Bardhë publikoi foto bardhë e zi të presidentëve Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky sot pasdite në Uashington.

Postimi u shoqërua me një citat të presidentit amerikan nga një takim në tryezë të rrumbullakët, në të cilin ai iu referua marrëveshjes SHBA-NATO që u lejon vendeve të blejnë armë amerikane për t'i dërguar në Ukrainë.

Trump tha se SHBA nuk po e bën këtë pasi është një "marrëveshje shumë e mirë".

"Ne jemi të përfshirë në këtë për të shpëtuar mijëra jetë", tha ai, raporton KosovaPress.

Pas takimit, presidenti ukrainas iu përgjigj interesimit të mediave, duke thënë se Ukraina mund të ofrojë "mijëra dronë" nëse SHBA lejon përdorimin e raketave Tomahawk.

"Prandaj, ku mund të bashkëpunojmë, ku mund të forcojmë prodhimin amerikan. Kemi një ofertë të madhe në lidhje me dronët tanë", tha ai.

Presidenti Trump u pyet nëse do të ishte i interesuar për një marrëveshje të tillë.

"Po, do të ishim të interesuari. Tani për tani kemi shumë dronë. Ne ndërtojmë tonin, por blejmë edhe dronë nga të tjerët, dhe ata (ukrainasit) prodhojnë dronë shumë të mirë", tha ai.

I pyetur nga mediat se çfarë mendon për përdorimin e raketave Tomahawk nga Ukraina për të goditur më thellë Rusinë, Trump tha: "Është një përshkallëzim, por do të flasim për këtë."

Duke folur rreth një takimi të mundshëm trepalësh, Trump tha se ka shumë "përçarje" midis Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin.

"Ata dy udhëheqës nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin dhe ne duam ta bëjmë të këndshme për të gjithë. Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, ne do të përfshihemi në formatin trepalësh, por ndoshta do të jetë i ndarë", tha Trump.

"Epo, do të shohim se çfarë ndodh. E dini çfarë? Mendoj se do të ndodhë. Mendoj se Presidenti Putin dëshiron t'i japë fund luftës, përndryshe nuk do të flisja kështu", shtoi ai.

Kujtojmë se Ukraina po i kërkon SHBA raketa Tomahawk që mund të godasin objektiva pothuajse 2 mijë kilometra larg.

Një nga gazetarët e pranishëm e pyeti Zelenskyn nëse do të bënte ndonjë lëshim për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, presidenti ukrainas tha se ishte "gati të fliste në çdo format".

"Bilateral, trepalësh - nuk ka rëndësi. Vetëm paqja. Kjo është e rëndësishme".

Sipas tij, sigurimi i garancive dypalëshe të sigurisë me SHBA është dokumenti më i rëndësishëm pasi "SHBA është shumë e fortë".

Raketat Tomahawk për Ukrainën, Trump tregon arsyen pse nuk i janë dërguar akoma ushtrisë ukrainase

Presidenti Donald Trump tha se SHBA-ja është e rezervuar për të dërguar sasi të mëdha armësh shumë të fuqishme, përfshirë raketat “Tomahawk”.

“Një nga arsyet pse duam ta përfundojmë këtë luftë është se nuk është e lehtë për ne t’ju japim, një numër të madh armësh shumë të fuqishme. Shpresojmë që ata nuk do të kenë nevojë për to. Shpresojmë që do të jemi në gjendje ta përfundojmë luftën pa menduar për Tomahawk-ët”, tha Trump.

Gjithashtu ai shtoi se: “Do të flasim për tomahawkët dhe do të preferonim shumë më tepër që ata të mos kishin nevojë për to. Ne do të preferonim shumë më tepër që lufta të mbaronte. Siç e dini po i shesim shumë lloje të ndryshme armësh, Bashkimit Evropian”.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka kërkuar furnizim me mjete që mund të përdoren për sulme me rreze të gjatë, për të rritur kapacitetet ushtarake të Ukrainës.

Zelensky uron Trump për armëpushimin e Gazës: Me bashkëpunim mund ta përfundojmë dhe luftën në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump mirëpriti sot në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku zhvilluan bisedime për situatën në Ukrainë dhe zhvillimet më të fundit në rajon.

Takimi u hap me fjalët e Trump, i cili e cilësoi praninë e homologut ukrainas si një nder të madh dhe e përshkroi atë si një lider shumë i fortë që ka kaluar shumë.

Trump deklaroi se gjatë takimit do të diskutohej edhe telefonata që kishte zhvilluar një ditë më parë me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe samiti i planifikuar mes tyre që pritet të mbahet në Hungari.

“Mendoj se gjërat po ecin mjaft mirë. Duam të shohim nëse mund ta realizojmë këtë, pas disa udhëzimeve që u diskutuan gjatë takimit në Alaska”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti Zelensky falënderoi mikpritësin dhe e uroi për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

“Mendoj se me ndihmën tuaj mund ta përfundojmë këtë luftë”, deklaroi Zelensky, duke shtuar se Rusia nuk po arrin shumë suksese në fushën e betejës.

Ai gjithashtu bëri të ditur se ka zhvilluar takime me disa kompani energjetike amerikane, të cilat janë të gatshme të investojnë në Ukrainë sapo të përfundojë lufta.

Zelensky lë pas veshjen ushtarake, Trump e komplimenton: Duket shumë bukur me xhaketë

Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë homologun ukrainas Volodymyyr Zelensky, i cili ka zgjedhur që sërish të mos veshë rrobat e stilit ushtarak në takimin me liderin e SHBA-ve pas kritikave të disa muajve më parë.

“Mendoj se ai duket shumë bukur me xhaketën e tij”, u shpreh Trump në momentin e takimit me Zelenskyn.

Zelensky u kritikua nga një gazetar në Zyrën Ovale për mosveshjen e kostumit gjatë takimit të tij të parë me Trump në shkurt.

Presidenti ukrainas u vesh më zyrtarisht për takimin e tij të dytë në Uashington në gusht, dhe duket se e ka bërë këtë përsëri sot.

Trump takohet me Zelenskyn, presidenti ukrainas mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump.

Udhëheqësi ukrainas u shfaq duke buzëqeshur teksa u prit nga Trump, i cili ngriti grushtin lart dhe pozoi për kamerat.

Dyshja shkëmbeu disa fjalë ndërsa bënë edhe një foto përpara se të hynin brenda.

Sakaq, ditën e djeshme Trump ka biseduar me homologun rus Vladimir Putin, me të cilin u dakordësua për një takim në Budapest të Hungarisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat