65-vjeçari nga Florida u ekzekutua për përdhunimin dhe vrasjen e fqinjës së tij

Amerika

65-vjeçari nga Florida u ekzekutua për përdhunimin dhe vrasjen e fqinjës së tij

Më: 29 tetor 2025 Në ora: 23:43
Norman Mearle Grim Jr

Një burrë nga Florida, i dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e fqinjës të tij dekada më parë, u ekzekutua të martën në mbrëmje, në një ekzekutim rekord të 15-të në Florida këtë vit.

Norman Mearle Grim Jr. u shpall i vdekur në orën 6:15 pas një injeksioni me tre droga në Burgun Shtetëror të Floridës pranë Starke, tha zyra e Guvernatorit Republikan Ron DeSantis.

Grim, 65 vjeç, u dënua për dhunë seksuale dhe vrasje të shkallës së parë për vdekjen e Cynthia Campbell. Viktima u raportua e zhdukur në korrik të vitit 1998 dhe trupi i saj i dhunuar u gjet në ujërat pranë Urës së Gjirit të Pensacolës nga një peshkatar.

Prokurorët thanë se Campbell kishte pësuar lëndime të shumta me mjete të forta në fytyrë dhe kokë, të cilat ishin në përputhje me goditjet nga një çekiç, si dhe kishte 11 plagë thike në gjoks. Një autopsi zbuloi se shtatë nga plagët e thikës i kishin depërtuar në zemër. Provat fizike, përfshirë ADN-në, e lidhën Grim me vrasjen e saj.

Që kur Gjykata Supreme e SHBA-së rivendosi dënimin me vdekje në vitin 1976, totali më i lartë vjetor i ekzekutimeve në Florida ishte tetë në vitin 2014. Florida ka ekzekutuar më shumë njerëz se çdo shtet tjetër këtë vit, e ndjekur nga Teksasi dhe Alabama me nga pesë secili.

Dy ekzekutime të tjera janë planifikuar për muajin e ardhshëm në Florida sipas urdhër-dënimeve me vdekje të nënshkruara nga DeSantis.

Pasi nënshkruhet një urdhër dënimi me vdekje dhe caktohet një datë ekzekutimi, të burgosurit kanë një shans të fundit për të bërë apelime në Gjykatën Supreme të Floridës dhe në Gjykatën Supreme të SHBA-së. Por në fillim të këtij muaji, Grim hoqi dorë nga çdo apelim.

Të martën, Grim u zgjua në orën 6 të mëngjesit dhe më vonë hëngri një vakt me mish derri të skuqur dhe pure patatesh me një milkshake me çokollatë, sipas zëdhënësit të Departamentit të Korrektimeve, Ted Veerman. Zëdhënësi tha se Grim nuk kishte vizitorë dhe nuk u takua me një këshilltar shpirtëror ndërsa ora e ekzekutimit po afrohej.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat