Rubio e Hegseth diskutojnë sigurinë Indo-Paqësore me homologët australianë

Amerika

Rubio e Hegseth diskutojnë sigurinë Indo-Paqësore me homologët australianë

Më: 8 dhjetor 2025 Në ora: 22:57
Foto nga vendi i ngjarjes

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u takuan të hënën në Uashington me homologët e tyre australianë për bisedimet vjetore të fokusuara në sigurinë Indo-Paqësore dhe kundërvënien ndaj rritjes së ndikimit të Kinës në rajon, përfshirë Detin e Kinës Jugore dhe presionin ndaj Tajvanit.

Rubio, Hegseth, ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, dhe ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, u mblodhën në Departamentin e Shtetit, ndërsa vëmendja ishte gjithashtu te lufta Rusi-Ukrainë, armëpushimi i brishtë në Gaza dhe sulmet ushtarake të SHBA ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës në hemisferën Perëndimore, të cilat kanë ngritur pyetje mbi përdorimin e forcës në atë zonë.

“Kjo është një partneritet shumë i fortë, është një aleancë e fortë dhe ajo që ne duam të bëjmë është të vazhdojmë ta ndërtojmë atë. Besojmë se kemi shumë momentum pas kësaj aleance,” tha Rubio, duke vlerësuar bashkëpunimin mes Uashingtonit dhe Kanberrës në mineralet kritike, prodhimin e mbrojtjes dhe vendosjet ushtarake, raporton AP.

Asnjëri nga të katërtit nuk e përmendi Kinën me emër në komentet e tyre të shkurtra para nisjes së takimit zyrtar, por sfidat e paraqitura nga Pekini në të gjithë Paqësorin dhe më gjerë kanë qenë temë qendrore e marrëdhënies SHBA-Australi për vite me radhë.

Në një takim të veçantë kokë më kokë pas bisedimeve katërpalëshe, Departamenti i Shtetit tha se Rubio dhe Wong “diskutuan angazhimin e tyre të përbashkët për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, duke theksuar bashkëpunimin për të luftuar operacionet e mashtrimeve online dhe mbështetjen për projekte të mëtejshme strategjike të infrastrukturës në gjithë Paqësorin.”

Presidenti Donald Trump dhe kryeministri australian, Anthony Albanese, nënshkruan një marrëveshje për mineralet kritike në Shtëpinë e Bardhë në tetor, pasi Kina vendosi rregulla më të ashpra për eksportin e mineraleve të veta kritike, të përdorura në teknologji që nga celularët deri te avionët luftarakë, ku Pekini është prodhuesi dhe përpunuesi kryesor. Pas takimit mes Trump-it dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, më vonë atë muaj, Pekini njoftoi se do t’i pezullonte ato rregulla për një vit.

“Duhet të kemi furnizime dhe zinxhirë të mineraleve kritike që janë të besueshëm, të larmishëm dhe jo të varur nga një vend i vetëm ku ato mund të përdoren si presion kundër nesh ose partnerëve tanë në botë,” tha Rubio.

Një element i rëndësishëm i kësaj marrëdhënieje është pakti ‘AUKUS’, një marrëveshje e epokës së Administratës Biden, në kuadër të së cilës SHBA, Britania dhe Australia u zotuan të ndërtojnë një flotë australiane të nëndetëseve të fuqizuara me teknologji bërthamore amerikane. Rubio u takua më vonë të hënën me Sekretaren e Jashtme britanike Yvette Cooper, por asnjëri nuk foli për mediat.

“Aleanca ka synuar gjithmonë të sigurojë përfitime konkrete për sigurinë dhe prosperitetin tonë dhe atë të Shteteve të Bashkuara. Dhe AUKUS është qendrore për këtë: një fitore për Australinë, për SHBA-në dhe për Mbretërinë e Bashkuar,” tha Wong. “Ne po ecim me ritëm të plotë përpara.”

Hegseth mbështeti komentet e saj, duke thënë se “ndërsa ne ecim me ritëm të plotë përpara me AUKUS, e përshëndesim kontributin e ardhshëm të Australisë prej 1 miliard dollarësh për të ndihmuar zgjerimin e kapaciteteve amerikane të prodhimit të nëndetëseve. Ne po e forcojmë AUKUS që të funksionojë për Amerikën, Australinë dhe Britaninë.”

Marles u pajtua dhe ri-konfirmoi rëndësinë qendrore të aleancës me ShBA-në për sigurinë e Australisë.

“Ne po jetojmë në një botë shumë më të kontestuar, ku është thelbësore të forcojmë bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët, dhe natyrisht, Amerika është në qendër dhe në plan të parë për Australinë në këtë aspekt,” tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat