​SHBA planifikon t’u kërkojë turistëve historinë pesëvjeçare të rrjeteve sociale

Amerika

​SHBA planifikon t’u kërkojë turistëve historinë pesëvjeçare të rrjeteve sociale

Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 18:12
Foto ilustrim

Turistët nga dhjetëra shtete mund të detyrohen të paraqesin historinë e tyre pesëvjeçare të rrjeteve sociale si kusht për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një propozimi të ri të publikuar nga autoritetet amerikane.

Kjo masë e re do të prekte vizitorët nga rreth 40 vende që aktualisht mund të hyjnë në SHBA për 90 ditë pa vizë, përmes sistemit elektronik të autorizimit të udhëtimit (ESTA). Që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, presidenti Donald Trump ka shpallur masa të reja të ashpërsimit të kufijve, duke e arsyetuar me sigurinë kombëtare.

Propozimi, i paraqitur nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare (CBP) dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), kërkon që aplikantët e ESTA-s të deklarojnë llogaritë e tyre të rrjeteve sociale të përdorura gjatë pesë viteve të fundit. Dokumenti parashikon gjithashtu mbledhjen e numrave të telefonit të përdorur në pesë vitet e fundit, adresave të emailit të dekadës së fundit, si dhe më shumë të dhëna rreth familjarëve.

Ndryshimet vijnë në kohën kur SHBA pret fluks të madh turistësh vitin e ardhshëm, për shkak të organizimit të Kupës së Botës në Futboll dhe Lojërave Olimpike të 2028-s në Los Anxhelos.

Administrata Trump ka kërkuar më herët që aplikantët e vizave studentore dhe vizave të punës H1B t’i bëjnë publike llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Zyrtarët amerikanë thonë se këto masa synojnë identifikimin e personave që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Organizatat për të drejtat digjitale kanë kritikuar propozimin, duke paralajmëruar rrezik të shtuar për cenimin e privatësisë. Ndërkohë, ekspertët e imigracionit paralajmërojnë se aplikantët mund të përballen me vonesa më të gjata në marrjen e aprovimeve të ESTA-s.

Ndryshimet e politikave të udhëtimit gjatë administratës Trump tashmë kanë ndikuar në rënien e numrit të vizitorëve të huaj. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit ka raportuar se SHBA është e vetmja ekonomi nga 184 shtetet e analizuara që pritet të shënojë rënie të shpenzimeve të turistëve ndërkombëtarë në vitin 2025.

Propozimi aktualisht është i hapur për komente publike për 60 ditë, shkruan BBC.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat