Rubio ka urdhëruar kthimin në përdorim të fontit “Times New Roman”: “Goditje” e fortë ndaj paraardhësit Antony Blinken

Amerika

Rubio ka urdhëruar kthimin në përdorim të fontit “Times New Roman”: “Goditje” e fortë ndaj paraardhësit Antony Blinken

Beqir Sina – New York Nga Beqir Sina – New York Më 11 dhjetor 2025 Në ora: 18:00
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ka urdhëruar kthimin në përdorim të fontit Times New Roman për dokumentet zyrtare të Departamentit të Shtetit, duke shfuqizuar vendimin e administratës së mëparshme për të përdorur Calibri-n.

Ky ndryshim, i njoftuar nga një zëdhënës i departamentit për CNN, synon të rivendosë “formalitetin dhe profesionalizmin” në komunikimet diplomatike, në përputhje me direktivën e presidentit Donald Trump, “Një Zë për Marrëdhëniet e Jashtme të Amerikës”.

Sipas zëdhënësit të departamentit, duke filluar nga e mërkura, të gjitha dokumentet duhet të jenë në fontin Times New Roman me madhësi 14 pikë.

Ekspertët amerikanë vlerësojnë se ky vendim përmbys ndryshimin e bërë në vitin 2023 nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili kishte miratuar Calibri-n për të rritur aksesueshmërinë, sidomos për personat me aftësi të kufizuara vizuale ose me disleksi. (Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që ndikon në aftësitë për të mësuar, lexuar, folur, shkruar dhe drejtshkruar.)

Ndryshimi i atëhershëm u bazua në rekomandimet e grupeve të brendshme për diversitet dhe për aftësitë e kufizuara.

Image
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio

CNN raportoi më herët për një kabllogram të brendshëm të datës 9 dhjetor, dërguar në postat diplomatike amerikane, ku thuhej se ky hap synon të “rivendosë dekorin dhe profesionalizmin në produktet e shkruara të departamentit dhe të shfuqizojë një program tjetër të kotë DEIA” (Diversitet, Barazi, Përfshirje dhe Aksesueshmëri) të miratuar në vitin 2023 nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Calibri, një font sans-serif pa vija shtesë në shkronja, konsiderohet më i lehtë për t’u lexuar nga ekspertët për personat me probleme vizuale, ndryshe nga Times New Roman, që është serif dhe më tradicional.

Standardi i Aksesueshmërisë sipas Aktit të Amerikanëve me Aftësi të Kufizuara (ADA) rekomandon fontet sans-serif, por Stili i Shoqatës Psikologjike Amerikane lejon edhe serif, si Times New Roman, duke theksuar se teknologjitë ndihmëse mund të rregullojnë fontet.

Zëdhënësi i departamentit argumentoi se fontet serif mbeten standard në gjykata, legjislatura dhe agjenci federale, ku autoriteti i regjistrave të shkruara është thelbësor.

Krijuesi i Calibri-t, Lucas de Groot, reagoi i befasuar ndaj lajmit. Në një intervistë për CNN, ai e quajti vendimin “qesharak dhe pak të trishtë”, duke shtuar se Calibri u dizajnua për lexueshmëri të lartë në ekrane të vegjël dhe për njerëz me aftësi të kufizuara vizuale. “Nuk e kuptoj pse shihet si ‘woke’”, tha ai duke qeshur, duke theksuar se dizajni i tij synon qartësi dhe një zë miqësor. Për të, kthimi në Times New Roman është një hap prapa në kohë.

Ky ndryshim vjen në kuadër të politikave të administratës Trump për të eleminuar programet DEIA në qeveri. Në janar, Trumpi nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ndaluar “programet radikale dhe të kota DEIA”, duke vendosur punonjësit e angazhuar në to në pushim dhe duke ushtruar presion ndaj kompanive. Disa masa, si ato në shkolla, janë rrëzuar nga gjykatat.

Ky vendim i Rubios nxjerr në pah tensionet politike rreth diversitetit dhe aksesueshmërisë në SHBA, duke shtuar debatin mbi prioritetet në diplomacinë amerikane, në një nga çështjet më të debatueshme të “MAGA”-s, me të ashtuquajturën “WOKE”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat