Michelle Obama ka folur hapur për mënyrën se si u përball me kritikat publike gjatë kohës sa ishte Zonjë e Parë e SHBA-së, duke treguar se vëmendja shpesh zhvendosej nga arritjet e saj profesionale te pamja e jashtme.
Në podcastin Call Her Daddy të Alex Cooper, ajo tha se me rritjen e popullaritetit, mediat nisën ta reduktonin figurën e saj te veshja, duke lënë në hije arsimimin dhe karrierën. Sipas saj, kritikat shpesh kaluan nga politika në paragjykime gjinore, ku fuqia e saj interpretohej si zemërim, humori si mungesë serioziteti, ndërsa fiziku atletik si diçka kërcënuese.
Sipas E! News, Michelle Obama tregoi se reagoi duke ndërtuar një strategji të vetën, duke e përdorur modën me qëllim dhe mesazh, ashtu si çdo aspekt tjetër të punës në Shtëpinë e Bardhë. Ajo theksoi se gratë bëjnë shumë punë të padukshme çdo ditë dhe se kjo kërkon përpjekje dhe strategji.
Sa u përket kritikëve, Michelle tha se zgjodhi të shkojë lart, duke i humanizuar ata dhe duke mos lejuar që negativiteti t’i minonte besimin apo shpresën për vendin e saj.