Trump: Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se "nuk ishte i shqetësuar" ndërsa po evakuohej nga Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, pasi një person i armatosur u përpoq të sulmonte sallën e vallëzimit.
"Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur", tha Trump gjatë një interviste me programin 60 Minutes të CBS News, një ditë pas të shtënave në një hotel në Uashington DC të shtunën në mbrëmje.
Media amerikane e quajti Cole Tomas Allen, 31 vjeç, si të dyshuarin, i cili u arrestua pasi policia tha se ai hapi zjarr pranë një pike kontrolli sigurie gjatë eventit. Ai do të paraqitet në gjykatë të hënën.
Task-forca e FBI-së për hetimin penal dhe terrorizmin po heton incidentin.
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, tha se i dyshuari "ka të ngjarë" të ketë synuar zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë të pranishëm, bazuar në gjetjet "paraprake", duke shtuar se motivi i personit të dyshuar të armatosur është ende nën hetim.
Trump u shoqërua në këtë aktivitet të shtunën nga anëtarë të lartë të qeverisë së tij, përfshirë Zëvendëspresidentin JD Vance, Sekretarin e Shëndetësisë Robert F Kennedy Jr, Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt dhe ndihmësin kryesor Stephen Miller.
Pasi u nxorr me nxitim nga skena në një vend të sigurt, Trump më vonë u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp të shtunën: "Nuk mund ta imagjinoj që të ketë ndonjë profesion më të rrezikshëm".
Në një deklaratë të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se Trump "qëndron i patrembur" pasi mbijetoi, së bashku me anëtarët e kabinetit, "një atentat me armë zjarri kur u qëlluan të shtëna".