Proza poetike ndjenjësohet edhe nga vargu artistik - Bota Sot
Proza poetike ndjenjësohet edhe nga vargu artistik

Analiza

Proza poetike ndjenjësohet edhe nga vargu artistik

Nga: Besim Perjuci Më: 22 tetor 2018 Në ora: 13:45
Besim Perjuci

/Vepër që melodizon vargun dhe prozën poetike me nuanca epike-tregimtare, të gdhendura me finesë në zhanrin s k i c a, me fjalët e shpirtit dhe gjuhë sintaktikisht të qëlluar/

Të vlerësohet diçka si e bukur, e pranueshme dhe jetëgjatë, është masë e një gatishmërie për ta artikuluar të vërtetën e paanshme, e cila lehtë mund të shndërrohet  në kënaqësi shpirtërore, si për autorin ashtu edhe për lexuesin. E kjo, në essence  paraqet origjinalën e përceptimit shpirtëror të shpalosur në veprën “Gurra e Dashës-rrëfime udhëtimi”të pasardhësit të fisit Kelmend, me gallap të Zenelajve, të fshatit Haxhaj, lagjia Lulaj, i zbritur tatëpjetës së Grykës së Rugovës kreshnike në Pejën e Haxhi Zekës, pikërisht në Kapeshnicën e rezistencaves të gjithmonshme.

Në këtë sens, përmes një filtri mendor, të oskigjenuar me energji shpirtërore, do të shpaloset e vërteta e jetës së autorit, e fragmentuar si pjesë e informacionit me devocion të një zbrazjeje të brendshme ndjenjësore. Ashtu siç bëri At Bernard LLupi në veprën e tij “Rrno për me tregue”.

Prandaj, artistikja e kësa vepre vjen me një arkitekturë ndryshe nga veprat e mëhershme të autorit Shefqet Kelmendi. E them kështu, sepse e sinqerta e rrëfimit poetik  i referohet kujtimeve të harxhuara birucave pa diell e qiell, duke provuar kësisoj aftësinë e të shfaqurit të botës intime, autobiografike si një sovran i vërtetë i mendimit, në të cilat shprehë pikëpamjet e veta për udhën e besuar, për jetën, për njerëzit dhe të vërtetën e dëshiruar nëpër kohë të lodhura.

Vepra “Gurra e Dashës”-Rrëfime udhëtimi -është një përmbledhje mbresëlënëse refleksionesh të përziera prozë e poezi, të latuara me pjekuri poetike, me një strukturë e stil të veçantë artistik, ku e bukura e penës shkrimore arrinë shkëlqimin e saj, sepse këto krijesa dyfarëshe jetojnë/pa patetizëm/në simbiozë me njëra tjetrën, si rrëfim subjektiv i narracionit shprehës.

Skicat kelmendiane janë impresionuese, janë një shtysë e vërtetë në kërkim të  baraspeshës së mendimit të qetë e paqësor nëpër kohë të pakapshme, duke rezultuar me shumëlloshmëri ngjarjesh e ndodhish interesante, që prekin indin e tyre me shkëlqimin e fjalës artistike. E, estetika e mendimit e do dhe artin e mirëfilltë, thonë poetët. 

Prandaj. kreativiteti ligjërimor me gjithë estetikën e saj janë burim i brendshëm i përthithur me tërë palcën e mendimit që rrymon nëpër damarët e krijuesit Kelmendi. Kjo nuk u mungon skicave dhe poezive me figuracion metaforik që e qenësishmja të përkufizohet me sukses.

Pa dyshim se, Kelmendi me tërë opusin e tij letrar /7 vepra të botuara/, si një krijues i mirëfilltë, është një zë me prirje e stil të spikatur, që na shfaqet në letrat shqip me tërë origjinalën e fjalës, gjuhësisht të përshtatur e me një sintaksë të përmbaruar, tërheqëse dhe lehtë e lexueshme.

Meditimet e autorit, vetëm sa janë një formë e veçantë e të menduarit me vrojtim të theksuar prej nga e nxjerr shumësinë e temave me brumë frymëzimi poetik rrëfimor, duke i konfiguruar me shprehje të matura e të qëlluara nga bota e figuracionit letrar artistik.

Këto refleksione  të përshkuara me impulse jete e frymëzim të brendshëm shpirtëror, do të kristalizohen spontanisht përmes mendimit të saktë e të përjetuar, si orvatje për t’i krehë deri në kufij të caktuar me vlera artistike, me qëllim që, t’ia servojë  lexuesit sa më natyrshëm e me efekte të fuqishme psikologjike.

Gama e pasur me tema nga më të ndryshme, rrëfime të spikatura me plotë pasion, të mbrujtura nëpërmjet një lirizmi prozaik poetik pa fabrikim të ngjarjeve, me artikulim gjuhësor të nivelit të pasur dialektor leksiokor të vendit ku u lind, me cilësi letrare estetike artistike, përbëjnë një spekter të gjerë nunacash në formën e skicave moderne që, pa dyshim, autorin do ta radhisin në mesin e krijuesve me shumë sens përkushtimi.

Libri artikulohet i strukturuar në tre cikle:Ta  fala  rininë, “Te  vllau” dhe 

F l u t u r i m e. Kështu që, përmes vargut dhe narracionit poetik do të realizohen 51 skica dhe 19 poezi, në variacione mesazhesh e imazhesh kreative të sinqerta, që pasqyrojnë subtilitetin shpirtëror me ndijime shqetësuese deri në dhimbje.

Autori do t’i integrojë të gjitha aftësitë morale e intelektuale për të gjykuar drejt e me shembuj konkret, jo vetëm nëpërmjet, të themi prurjes poetike letrare, por dhe përmes rrëfimeve interesante që prekin thelbin e ngjarjeve të kohës, të gdhendura me kulturë e me shije artistike.

Malli i zhuritur për të afërmit e zemrës, shkund pluhurin e harresës si në legjendat e moçme të traditës

Frymën e jetës, frymën e dashurisë familjare e mban diku në thellësi të shpirtit. I don të gjithë me afsh të zemrës. Edhe djemtë, edhe vajzën Luljeta, por më shumë e ka për zemër të emën dhe varrin e rrafshuar e pa adresë. Me pasthirrmën e dhembjes do të thërret”:”O nanëlokja e loçkës sime, që me shkrumb të vendit ike në lulën e pranverës, tregoji djalit ku e ke vorrin, se fatziu ta ka harrue!../. Kjo llavë e zjarrtë shpërthen me thirrjet e zemrës e të shpirtit, me oh-et e vagullta mes vajit e dhimbjes. Për te është personi më i papërsëritshmëm i jetës, është simboli i dashurisë, i çiltërisë, i Hyjnisë e shumëçka tjetër…

Edhe dera e shtëpisë nuk harrohet thotë autori. Zjarri e malli do ta djegin në embrion autorin kur e la Kosovën, e si pazëshëm e metaforikisht do ta shfryjë dufin duke thënë:”Nga bora ika e rreshmja më vuni para”/viti 1956/. Nuk harrohen as shikimet përvëluese të motrës e cila, me duar në gjinjë e me lotë në sy, mbështetur te pragu i derës prêt çdo ditë të vëllanë. Dhe dhimbshëm e me jehonë durimi, do ta pyet të vëllanë në ditën e ikjes:-“Për ku kështu, o vlla? …” .Përgjigje nuk ka, ajo do të mungojë tërë jetën! Kjo sikur na çon te kujtimi për legjendat e moçme kur nënat, motrat dhe gratë që i presin kreshnikët trima./ Skica“Ajo ditë”/.

Dashuria për vendlindjen, njerëzit e saj, ujin kristalin që, tatëpjetës rrëshqet përmes  tingujve melodikë , për këngën e lahutarit me jehonë thirrjesh të shallbardhëve bjeshkë më bjeshkë, për Grykën piktoreske të Rugovës alpike, për natyrën me masivet e saja shkëmbore që, ndër shekujt mjeranë gdhenden historinë e plisbardhëve, arat e bukës e të bereqetit, gurra ylberike të lashta sa vetë toka dhe vashat e bukura me burrela. Kjo lashtësi alpike është streha dhe djepi i lindjes. Këtu edhe përkundet fryma poetike e namit historik, kur autori me nostalgji shfrynë: /.”O Grykë e bardhë e vendlindjes sime//Në Grykë t’Rugovës-dhimbja ime”/ Këtë tregimtarit Kelmendi e ndjen dhe e përjeton në shpirt edhe nga larg afër./skicat:”Gurra e Dashës”,”Gryka e Rugovës”,”Gurra”, “Lumbardhi”/.

Në veprën “Gurra e Dashës”-Rrëfime udhëtimi -, titull ky, më të cilin edhe fillon faqja nismëtare, disejnohet qartë mendimi sakaq i ekuilibruar me nuanca identifikimi të një bote të brendshme, që shpërthen e dallgëzuar, jo vetëm nga aspekti metafizik, por edhe nga ajo e paprekshmja psikologjike, duke qendruar si një lidhje e pashkëputhsme mes atyre grimcave të lumturisë dhe botës që e rrethon.

Pra, kjo lidhje mes autorit dhe shkrimit të tij, si shprehje e paraqitjes ndjenjësore në tërë përmbajtjen e veprës, të përshkuara me dellin estetiko-artistik, ekziston një ekuivalencë e brendshme që përcakton vetë natyrën e materies lëndore të artikuluar me inventivën e artit të kulluar dhe praninë e tij në veçanti.

Kjo ia rritë vlerën veprës dhe e bën më të materializuar, më origjinale me mendime të levërdishme edhe përtej kohës, ku alternohen kujtimet me gjurmë mbresash të përjetuara, ku preket realja me jorealën, e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, drita dhe errësira, jeta dhe vdekja /si antiteza/. Të gjitha këto për ne tokësorët janë të përkohshme, thotë autori, por që ia shtojnë efektin ideoemocional e artistik veprës.

Në poezinë “Jeta ime” autori dialogon me jetën, nxjerrë specifikat e saja, e vlerëson si fenomen i Dritës, i Hyjit –Universit. E lartëson, por në brendi ndjehet një reagim i eksaltuar, kur shpehet:” Mbeti rrugash, /Jeta ime, Copa-copa./ Mu si prroni/ nëpër gropa /Jeta ime/.

Autori e hulumton gjatë, shumë gjatë mendimin e ngushëllimit për personazhet që i ka të shpirtit, të zemrës dhe të mos-harresës. Personazhet që i do shumë, autori i ka të pikturuar e të pashlyeshëm në mendjen e tij që artikulohen nëpër të sotmën e kujtesës, me veçanti të heroinës  Marije Shllaku-Shkodranja, që do t’i ravijëzohet në mendje për ta mbajtur me vete përgjithmonë, dhe jo vetëm ajo por dhe At Bernard Llupi, Viktor Gashi, Kamber Sadiku, Ramiz Kelmendi, Engjëlli, Kola, Gjergji, Prekë Coli, Sali Ukella, Jusuf Haluci, Leze Koleci etj/.

Konfigurimi i të menduarit filozofik dhe tundimi i autorit për të kërkuar ide e mendime me shprehje cilësore nga e vërteta e panjohur e kësaj bote, si mundësi fare e vogël për t’u futë në kuadrantin e fshehtësive që mbanë Universi, pa dyshim shpërfaqin ekuilibrin e brendshëm , si përpjekje imagjinative shikuar nga optika e tij.

Autori posedon invencion dhe afinitet të veçantë në aspektin ideoestetik me elemente kualitative të ngjeshura përmes konceptit jetësor filozofik të përjetuar. Kurse lirikat e tij kundrohen nga fjala e peshuar komunikuese dhe dashuria si fenemene njerëzore që reflektojnë motive jetësore nga realiteti objektiv.

Dialogu është i përhershëm si ekskomunikim me mikun-lexues të sinqertë, mbase atëherë e ndjen ritmin e fjalës që emocionon deri në inspirim. Kësaj të folmeje dyshe do t’i ndihmojë vokabulari leksikor me pasur dialektore të gegërishtës së gjallë e me fuqi mendimi filozofik popullor.

Virtyti i durimit pjalmon fuqishëm dhe mban gjallë frymën me jehonë

Shpeshherë i përhumbur në labirinthin e mendimeve Qeti/Sh.K/ imtak, tashmë i krusur dhe thatanik, më shumë se kurrë, do të kuvendojë me të kaluarën e vet. Hija jote, thotë autori, të ndjekë, e s’të lë vetëm. Prandaj, ke mundësi të flasësh me te, për të mos e harruar të folmën që ta mësojë nëna dhe mësuesi më vonë. Ajo endet lirshëm sipas dritës së mekur që vie nga jashtë. Sepse për te kujdeset “Drita e Partisë”Dhe i bëhet mundimi më i lehtësuar, kur thotë:- Me ty jam më i fortë!  Ti kurrë s’më tradhëtove! Vetëm trupi im i dërmuar të prek ty! Dhe vetëm tek ty ajo vjen e gjen ngushëllim! Paç bekimin e zotit!”.Gjithçka pëshpëritshëm e pa zë! Edhe atëherë kur mendonte që s’e kishte askënd pranë, si gjithnjë në çastet më të vështira, ai e kishte vetveten, si njeriun më të sigurtë, më besnik e më ….Ai, vetvetja dhe hija, të vendosur te njësh-njëshi, përbënin gjithmonë numrin tek, ishin vetëm një. Kësaj here iku hija e vdekjes e pushkatimi shkoi huq”. Skena të llahtarshme, autori me vetveten aty, pena krijuese në dorën e të gjallit. Për kujtesë: -njerëzit që kaluan kësaj rruge ishin vetëm hije. Hije të skeletuarish. E hija e skeletit–njeri, nuk ta freskon çastin edhe kur vapa godet me zjarrmi. Hija është simbolikë e errësirës, e makthit, e heshtjes, e ndjekjes, e të ftohtës, të asgjesë, e antidritës, vdekjes/antiteza/, që do të reflektohen si të paftuara në birucat e errëta./skica “Hijet?

Është e çuditshme se si Kelmendi arrinë të formësohet në poet lirik e rrëfimtar situativ, pa laps e letër në birucën e nëndheshme te 5-a. Prandaj, siç thotë autori, mbetet më e veçanta në tërë vargëzimin letrar artistik, poezia “Rreze”, kur shprehet:

/”Ditën e gjatë nji shekull,//Me sy i ndjeku mbas,//Me to kënaqem si fëmija,//Me to kohën mas”/. Dhe pikërisht këto vargje ia forcojnë mbamendjen dhe e mbajnë gjallë. E bukur! E habitshme!...

Shpirtërisht digjej përmbrenda kur shihte skamjen më të mjerueshme të njerëzve që i merrte për të vetet, për të gjakut, të kombit e të gjuhës. E bashkëndjente dhe i dyzuar me ta ishte./Skica”Kasollja”/./Me rastin e vizitës së familjes së një nxënësi në fshatin Mazrek të Shkodrës/. Ndërgjegjshëm do të reflektojë në rritjen e besimit  mbarëkombëtar dhe në zhdukjen e diferencave shoqërore. Aq më shumë autori ushqen një dashuri të nivelit, derdhur damarëve të gjakut. për kombin, gjuhën, Dheun…/Poezia, “Nish, vjeshtë 1952/.

Në heshtje po e sundonte botën e po i mposhtte hetuesit dhe njerëzit e pushtetit e “të drejtësisë”. Pesëshkronjëshi i bëhet sakaq opsesion autorit Kelmendi, ngaqë:”

“Se P e s a  ashtë qefini i tokës sonë”/./Skicat “5-a, “Hijet…”/.

Me ndiesi të hollë përshkruhet mrekullia epokale e historisë sonë me urtakun Anton Çetta, me sintagmën “Kosovë, gjakun ty ta kam falë”, për t’u ndalë te Verrat e Llukës e për t’i ngrohë 1000 shpirtëra e duar të shtrënguara.

Rininë e deshti edhe përtej moshës, ndonëse ajo i mbeti e shembur e flakur dhe e gozhduar dikund në largësi me plagë të hapura që nuk iu shëruan kurrë. Kaloi mbi stuhitë

e nëndheshme e të mbidheshme dhe pse-të e panumërta të jetës nuk i gjeti. Për më tepër harroi që gjatë rrugës së madhe ta sosë vajin e rinisë së humbur kazamateve të egra.         Por ajo që ia mrekullon jetën është persoanazhi i shpirtit, i zemrës, është “D r i t a dhe

D a sh u n i a” që ia ndriçon udhën e madhe të jetës. Është Jona, mbesa e tij “letrën e të cilës e mban si hajmali jetëdhënëse”, për të vazhduar:“Jona, Ti më mësove se jeta asht dashuni, Se ai që vret Dashuninë, vret edhe Jetën. Jona”/./Skica “Jona”/.

Në faqet e ndritura të veprës së të tij, shihet qartë, sikur ka dëshirë ta shkruaj mesazhin për rininë tonë, për brezin që do ta bëjë historinë ndryshe nga ajo që u ndërtua me shëmti e gjithsesi me shëmbje.

Fuqishëm e me tingëllimë frymëzimi e atdhetarie, aty ku pushojnë zërat e dasmorëve  e me qëndrim “Gatitu”, i këndohet këngës së këngëve- Himnit të Flamurit- me jehonë, për t’u dëgjuar edhe përtej heshtjes së mbytur larg, larg…edhe përtej kafshimit bishor./Skica”Hymni i Flamurit”/.

Udhtëtimet e shpeshta, lëvizjet fizike e meditative andej e këndej gurit të mexhës, e mbajnë gjallë e me frymëzim artistik, duke e ruajtur këtu vitalitetin intelektual mendor e kreativ, si një shpirt i shqetësuar në fushën e letërsisë shqiptare, ku fjala e gdhendur poetike krijon miqësi mes vargut dhe lexuesit.

Figurat e mendimit popullor i gjen dhe me ta flet me gjuhën e thjeshtë të kësaj toke për t’i nxjerrë mesazhet me traditë. Kurse metafora e metonimia dukshëm lakohen skicave e vargjeve poetike, duke i dhënë shije e bukuri rrjedhës së mendimit me substancë të ngjeshur e ritëm gjallërimi.

Fjalën e ka të menduar, të saktë e të disiplinuar, të urtë e me qëllim të arsyetuar, përndryshe të rrahur mirë e të përzgjedhur me taban. E tjerrë dhe e analizon, pa e nxjerrë mirë nga gryka, derisa ta ndiejë dhe e shijojë me vetveten. Janë dhe burime të shpirtit, por edhe të një faktografie të cilësuar me përmbajtje interesante shumështresore që, për lexuesin mund të jenë shumë pak të dëgjuara e të qartësuara E kur shpërthen me kuptimin e saj, vjen e vagulltë dhe sajon subjektivën e fisme shpirtërore, me presencë identiteti, si pak me ndryshe nga të tjerët, mbase me nuanca meditimi filozofik e spiritual si favore të moshës së autorit; “Zoti na dhuroi jetën me të gjitha të mirat”,”E Vërteta absolute asht NJISHI”/Skica “Drita e Dashunisë”/.

Drejt Urës së jetës, thotë autori Kelmendi, është nisur me ndjenjen se andej e përtej saj do ta gjejë të vërtetën e molekules së vetë, tashmë të jetuar e të përjetuar. ”Se e vërtetë e Përhershme dhe gjithëpërfshirëse asht vetëm Drita Hyjnore, mbrenda së cilës rrezaton Gjithçkaja”/Skica “Blanë…” Dhe, kjo do ta përcjell deri në amshim, deri tek Drita e Hyjit, deri të Tërësia e mrekullueshme Hyjnore.

Fabula rrëfimtare e jetës së Kelmendit komponohet përmes figurave me ngacmim poetik stilistik, si mjete frymëzimi artistik, ku skicat dhe tingujtë e derdhur poetik, shestojnë në tërë harkun mendor me përmasa të një mozaiku gjithëpërfshirës të ngjarjeve të plazmuara emocionalisht e, që presin të shpërthejnë e me urtinë e mendimit për ta kuptuar të tjerët lehtë organikën e saj të zbërthyer.

Në vargun e madh të mendimtarëve që defiluan faqeve të ndritura të letërsisë sonë, përmes letrave të veta, qoftë me ndonjë parathënie–pasthënie apo reçenca, dëshmi apo fjalë miradije apo në forma e mënyra të tjera të të shprehurit, për veprat e shkrimtarit Shefqet Kelmendi-Qetit, mbetet i patundur mendimi mbresëlënës i redaktorit të veprës “Hija e kuqe” z.Ridvan Dibrës, i cili ndër të tjera thotë:’Do të gjeni në këtë libër:

·         Shefqetin shkrimtar-me sens të hollë rrëfimi e trillimi;

·         Shefqetin atdhetar-me dëshmi vetjake e dufe patetizmi;

·         Shefqetin filozof- me vëzhgime interesante e prirje mistike;

·         Shefqetin gazetar- me qëmtimin e detajeve e fakteve jetësore;

·         Shefqetin gjuhtar – me kujdesin sqimtar ndaj çdo fjale e trajte…

Do ta gjeni pra individin që nuk e lanë të realizohet i plotë në të gjitha fushat”.

         Jo rastësisht e huazova këtë mendim, nga z.Ridvan, sepse vërtet e ka konceptuar e  përmbledhur në mënyrën më reale, më mjeshtrore e më të qëlluar, që dikush mund ta profilizojë portretin e një njeriut siç është në rastin tonë z.Kelmendi.

Impressive!....  

Dhe krejt në fund , udhëtarit tonë nëpër udhët ndryshe të jetës, për mua kreshnik i qëndresës me shumë energji mendore e psikofizike në rrafshin e së vërtetës do t’i them faleminderit për këtë dhuratë të çmueshme!

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test