Arti si terapi në Kosovë

Art

Arti si terapi në Kosovë

Nga: Ilir Muharremi Më: 11 maj 2021 Në ora: 21:57
Ilir Muharremi

Arti nuk është veçse art, është dritë që futet në skutat më të errëta të shpirtit dhe zemrës së njeriut. Emocionet, sekretet shpirtërore ato që në pafuqi janë të pashpjegueshme nga magma e thellë, arti i lehtëson, zbukuron nga vetvetja gjithnjë brenda rregullave të artit. Thellësia e artit dhe thellësia e shpirtit , e para është bukuria dhe dehja, ndërsa e dyta po ashtu dehja dhe bukuria, pra të dyja shihen në pasqyrë me një ngjashmëri identike. A mund të jetohet pa art e pa shpirt? Friedrich Nietzsche kishte me thënë: “Me veprat e artit ndodh si me verën: më e mira është të mos kesh nevojë as për njërën e as për tjetrën, por të mos heqësh dorë nga uji dhe ta shndërrosh vazhdimisht nëpërmjet zjarrit të brendshëm dhe me ëmbëlsinë e brendshme të shpirti, ujin në verë”. Uji shpirti, ndërsa vera arti. Si për ajrin, ujin dhe ushqimin, mendja, shpirti, emocionet, dhe trupi jonë kërkon t’i bashkohet artit, pra vet ne jemi art dhe pa njeriun nuk mund të ekziston as arti.

Piktura na ngacmon me vizualitetin e saj, eliminon plogështinë, monotoninë e përditshme që e kemi, dhe na përkund me krahët e saj ngjyrore dhe të formave, në kthen mendimin qoftë prapa ose pas. Personazhet ndodh të aterojnë nga shpirtrat e përtejmë, nga kaosi i qiejve ngjyror, e që ritmi i zemrës dhe frymëmarrja jonë bashkohet me këta personazh. Pikturat e renesancës kanë një bukuri kalimtare e cila për njeriun e ri ndoshta është e pakuptueshme. Bukuria greke ende është e bukur për ne, madje aty janë rrënjët e artit dhe kufijtë. Arti i Rembrenadit, Pikasos, Dalit, Van Goghut, arti kinez, arti i sotëm ende janë të bukur për ne dhe kjo ka rëndësi.

Arti mendohet si terapi jo veç për atë që e krijojnë, por edhe për atë që e shijon, në radhë të parë për projektuesin. Terapia e artit prek shqetësimin e brendshëm të njeriut dëshirën e tij për ndryshim, ikje nga realiteti i errët i krijuar nga vet ai në thellësi. Terapia e artit ka për qëllim të ndikoj në ndjenjat e tij. Terapi e artit bën që njerëzit t’i komunikojnë ndjenjat e tyre lirshëm. Format e artit që përdoren në terapi janë arte pamore. Kjo do të thotë pikturë, skulpturë, kolazh, arte skenike si aktrimi, histori, teatër rikujtimi, lojë me role dhe kukulla. Kur bëhet fjalë për muzikë ata përdorin ritëm, tingull, zë, instrumente, dhe me shkrim mund të përdorin zhanre të ndryshme. Terapia e artit është një mënyrë për të folur të vërtetën përmes simbolikës. Gjërat që njerëzit i shprehin përmes krijimit mund të përfaqësojnë veprime agresioni, braktisjeje, humbjeje dhe ndjenjash. Ata gjithashtu do ta bëjnë atë indirekt, pa kuptim.

Nëse terapia e artit përdoret përmes teatrit, kriojet një tekst, shfaqje, ose shfaqje kukullash dhe artisti (pacienti) flet përmes karakterit të tekstit dhe vishet me kostumin e tij, psikologjinë dhe fillon të mendoj si  ai, pra thyhet distanca ndërmjet tij dhe karakterit, bëhet ai personazhi. Veprohet përmes një karakteri të trilluar.

Në pikturë ata nuk mësohen të bëhen piktorë, por të pikturojnë ashtu siç ndjehen ata. Dialogojnë përmes ngjyrave me shpirtin e tyre. Dhe pastaj ata mund t'i organizojnë gjërat më vonë dhe t'i afrohen gjithnjë e më shumë vetes së tyre më të thellë. Sipas psikologëve Emocionet janë jashtëzakonisht të rëndësishme kur bëhet fjalë për përvojat dhe zhvillimin njerëzor. Puna me artet përmes terapisë së artit i ndihmon njerëzit të zhvillohen personalisht dhe emocionalisht. Ekzistojnë katër faza për të punuar në emocione në terapinë e artit: emërtimi, eksplorimi, eksperimentimi dhe integrimi. Emocionet janë mënyra jonë kryesore e komunikimit dhe madje mund të jenë më të rëndësishme se fjalët. Pra, nëse fjalët tuaja nuk shkojnë së bashku me emocionet e duhura, njerëzit ndoshta nuk do t'i besojnë ato. Normalisht kur shprehni diçka emocionale përdorni shprehje të fytyrës, imazhe, metafora verbale dhe tone të zërit për të komunikuar më mirë me njerëzit. Ato ju ndihmojnë të kuptoni dhe shprehni shumë më tepër sesa fjalët vetvetiu, për sa kohë që emocionet përputhen me fjalët. Artet, ashtu si të gjitha shprehjet joverbale, inkurajojnë eksplorimin, shprehjen dhe komunikimin e gjërave për të cilat nuk jemi të vetëdijshëm. Puna në emocione përmes terapisë së artit mund të përmirësojë cilësinë e marrëdhënieve tuaja.  Emocionet themelore si frika, zemërimi, lumturia, dashuria, trishtimi dhe ndjenjat e pakëndshme janë thelbësore dhe të nevojshme për ekuilibrin emocional.

Te ne artin e shohin si humbje kohe, janë të distancuar nga arti, madje dhe kur vizitojnë ndonjë Galeri Arti ose Muzeum, sillen si konfuz, të humbur dhe aty mësojnë vetëm ca tituj, ose fraza që për ta janë të pakuptuara. Harrojnë se arti ju shërben, por edhe ata duhet t’i shërbejnë artit. Artin e shohin si diçka pas kohe, ose kur te kenë kohë të lirë ta shohin ndonjë shfaqje, film, muzikë, ekspozitë. Kjo vërtetë është e padurueshme. Arti është terapi, na bën të ndjehemi mirë, njeriut të pashpresë ja kthen shpresat, ose ngritë cilësinë e lumturisë dhe buzëqeshjes në përmasa kolektive. Jo të gjithë kanë nevojë që artin ta kuptojnë me ndihmën e historisë së artit, por me reagimin e ndjenjave, shpirtit dhe trupit, kjo është qasja më e duhur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat