Sëmundja misterioze në Indi dyshohet se erdhi nga këto substanca

Azia

Sëmundja misterioze në Indi dyshohet se erdhi nga këto substanca

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 09:34
Foto ilustrim

Autoritetet indiane janë duke hulumtuar nëse organoklorinat, të cilat përdoren si pesticide ose kundër mushkonjave, kanë shkaktuar vdekjen e një personi dhe hospitalizimin e mbi 400 të tjerëve në rajonin Andhra Pradesh ditëve të fundit.

Sëmundja e panjohur i ka prekur më shumë se 300 fëmijë deri më tani. Shumica prej tyre po përjetojnë marramendje, dhimbje koke, vjellje dhe alivanosje. Ata kanë dalë negativë në testin për COVID-19.

Ligjvënësi federal, Narasimha Rao, i cili vjen nga ky rajon, tha në rrjetet sociale se ka biseduar me ekspertët mjekësorë të qeverisë dhe se sipas shumë gjasave, shkaktarë të sëmundjes së panjohur janë substancat helmuese të organoklorinave.

“Kjo është një nga mundësitë”, tha Geeta Prasadini, drejtoreshë e shëndetit publik në Andhra Pradesh, duke shtuar se autoritetet janë duke e pritur raportin e testimit për ta zbuluar shkaktarin e sëmundjes, shkruan Reuters.

Ajo gjithashtu tha se nuk ka pasur raste të personave të sëmurë seriozisht gjatë 24 orëve të fundit. Sidoqoftë, në fundjavë nga sëmundja e panjohur vdiq një burrë 45 vjeç.

Organoklorinat janë të ndaluara ose përdorimi i tyre është i kufizuar në shumë shtete pasi, sipas hulumtimeve, ato janë të lidhura me kancerin dhe rreziqe tjera të mundshme shëndetësore. Megjithatë, disa prej këtyre substancave mbesin në mjedis për vite të tëra dhe krijohen në yndyrën trupore të njerëzve dhe kafshëve.

Ekspozimi ndaj pesticideve të organoklorinave për një kohë të shkurtër mund të shkaktojë marramendje, dhimbje koke, vjellje, dobësim të muskujve dhe djersitjeve, thonë autoritetet shëndetësore amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat