Tetë të arrestuar në Hong Kong për protestë të paautorizuar

Azia

Tetë të arrestuar në Hong Kong për protestë të paautorizuar

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 06:27
Pamje nga protesta

Policia e Hong Kongut arrestoi të martën tetë aktivistë në lidhje me një protestë të muajit korrik, zhvillimi i fundit i fushatës së shtypjes ndaj kundërshtarëve në territorin kinez gjysmë-autonom.

Njoftimet e medias lokale thonë se mes të arrestuarve janë ish ligjvënësit Wu Chi-wei, Eddie Chu dhe “Longhair” Leung Kwok-hung si dhe Figo Chan me Frontin e të Drejtave të Njeriut.

Policia i akuzoi ata për “nxitje, organizim dhe pjesëmarrje në një tubim të paautorizuar,” duke ju referuar një demostrate me 1 korrik në të cilën mijëra njerëz sfiduan ndalimin e protestave dhe demonstruan kundër ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur në Hong Kong nga Pekini një ditë më parë.

Duke folur për gazetarët pas lirimit me kusht zoti Figo i lëvizjes pro-demokracisë CHRF tha se autoritetet e Hong Kongut po shtypin disidentët duke ngritur akuza të paarsyeshme.

“E dënoj fuqishëm qeverinë e Hong Kongut për shtypjen e vazhdueshme të qytetarëve të Hong Kongut,” tha ai.

Që nga shpërthimi i protestave në Hong Kong në vitin 2019, policia e atij qyteti ka qënë në ballë të përpjekjeve të Pekinit për të eleminuar demonstratat.

Sipas një ankete të publikuar të martën nga Instituti Hulumtimeve të Opinionit Publik të Hong Kongut, policia tani renditet e fundit në vlerësimin e publikut mes “forcave disiplinore” të Hong Kongut, ku përfshihen njësitë e reagimit të parë, punonjësit e burgjeve, trupat e Ushtrisë Popullore Çlirimtare, hetuesit kundër korrupsionit, si dhe punonjësit e doganave dhe imigracionit.

Profesori Chan Ka Lok me Universitetin Baptist të Hong Kongut thotë se vlerësimet e ulëta ishin rezultat i abuzimit të pushtetit nga policia dhe mosgatishmëria e tyre për të krijuar një komision të pavarur hetimi për të vlerësuar punën e policisë në trajtimin e lëvizjes pro-demokracisë që nga viti 2019.

Arrestimet e së martës u kryen disa orë pasi Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj 14 zyrtarëve të lartë kinez lidhur me veprimet e Kinës muajin e kaluar për të përjashtuar katër ligjvënës pro-demokracisë nga legjislatura e Hong Kongut.

Kur u pyet mbi lidhjet e mundshme, zoti Chan i tha Zërit të Amerikës se, “qasja e policisë është përsëritje e diplomacisë së pengjeve të epokës së Luftës së Ftohtë.”

Që nga e hëna, disa dhjetëra banorë të Hong Kongut janë arrestuar për rolin e tyre në demonstatat pro-demokracisë. Zoti Chan tha se këto arrestime u ngjajnë arrestimeve nga policia kineze në Kinën kontinentale dhe do ta kthejnë Hong Kongun në një vend të sunduar nga frika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat