Militanti i Hezbollahut dënohet me pesë dënime me burgim të përjetshëm për vrasjen e Haririt

Azia

Militanti i Hezbollahut dënohet me pesë dënime me burgim të përjetshëm për vrasjen e Haririt

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 14:47
Fotografi e kombinuar e Salim Jamil Ayyash, të dënuarit për sulmin ndaj ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri

Një gjykatë e përkrahur nga Kombet e Bashkuara ka dënuar në mungesë një anëtar të grupit militant të Libanit, Hezbollah, me pesë dënime me burgim të përjetshëm, për përfshirjen e tij në vrasjen e ish-kryeministrit të Libanit, Rafik Hariri më 2005.

Salim Ayyash “ka marrë pjesë në një akt terrorizmi që ka nxitur vrasje masive. Roli i tij ka qenë i rëndësishëm për sukses të sulmit”, ka thënë gjykatësi kryesues, David Re në Tribunalin Special për Libanin, me seli të Holandë.

Tribunali ka lëshuar edhe fletëarreste të reja ndërkombëtare për Ayyash dhe ka autorizuar prokurorin e saj që t’i kërkojë agjencisë ndërkombëtare për zbatim të ligjit Interpol, që të nisë “lajmërime të kuqe” për vendet anëtare që synojnë arrestimin e tij.

Ayyash është shpallur fajtor për vrasje në muajin gusht, derisa tre anëtarë tjerë të Hezbollahut, që janë gjykuar po ashtu në mungesë, janë shpallur të pafajshëm. Vendndodhja e tyre nuk dihet.

Hezbollahu ka mohuar çfarëdo përfshirje në vrasje, derisa gjyqtarët kanë thënë se nuk ka të dhëna për përfshirje të grupit militant shiit në këtë rast.

Hariri, miliarder mysliman sunit, dhe 21 persona tjerë janë vrarë në një sulm vetëvrasës me kamion-bombë në qendër të Bejrutit më 2005. Më shumë se 220 persona tjerë janë plagosur.

Pas përfundimit të mandatit të tij të fundit më 2004, ai ishte afruar me opozitën në parlament dhe ka përkrahur thirrjet që Siria të largojë trupat e saj, që kanë qenë në Liban nga viti 1976.

Hariri ka pasur lidhje të ngushta me shtetet perëndimore dhe shtetet sunite të Gjirit Arab, andaj është konsideruar kërcënim për ndikimin iranian dhe sirian në Liban.

Zemërimi pas sulmit më 2005, pati shtyrë Qeverinë libaneze pro-siriane që të japë dorëheqje, dhe që mbështetësja e Hezbollahut, Siria, të tërheqë trupat nga Libani.

Qeveria e Damaskut ka mohuar po ashtu përfshirjen në vrasjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat