Ligji i ri në Indi shënjestron çiftet ndërfetare

Azia

Ligji i ri në Indi shënjestron çiftet ndërfetare

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 21:33
Foto ilustrim

Pas një lidhjeje njëvjeçare, 34-vjeçari Haidar Mansuri dhe 28-vjeçarja Shabila Chand në shtetin verior të Indisë, Uttar Pradesh, vendosën të martoheshin.

Shabila u largua nga shtëpia e saj në Azamgarh për t'u martuar me Haidarin që banon në Kushinagar.

Përderisa ata ishin gati të martoheshin më 8 dhjetor, dikush informoi policinë dhe anëtarët e grupeve hinduse të krahut të djathtë "Bajrang Dal" dhe "Hindu Vahini", të cilët arritën në vendngjarje. Ata thanë se djali ishte musliman dhe vajza hinduse, gjë për të cilën pretenduan se ishte një rast i "xhihadit të dashurisë", një term i përdorur nga grupet e krahut të djathtë të cilët pretendojnë se meshkujt muslimanë synojnë gratë hinduse për t'i kthyer në Islam duke pretenduar se i duan.

"Nuk dua të komentoj për këtë çështje më tej. Ne kemi vuajtur shumë”, tha Haidar për Anadolu Agency (AA).

Aktivisti lokal Armaan Khan, i cili ndihmonte për t'u arritur kjo martesë, tha: “Haidar Mansuri kërkoi nga unë ta ndihmoja të martohej me Shabila Chand. Unë thirra një klerik musliman që bën martesa për solemnizimin e Nikah-ut (martesës)".

"Ndërkohë, anëtarët e disa grupeve të krahut të djathtë arritën në vendngjarje. U thirrën zyrtarë të policisë dhe u pretendua se martesa po bëhej midis një muslimani dhe hinduse", tha Armaan.

Çifti së bashku me klerikun u dërguan në stacion të policisë. Vajza, që në fakt ishte muslimane, ishte larguar nga shtëpia e prindërve të saj në Azamgarh pa i informuar ata, pasi prindërit kundërshtuan martesën e saj me Haidarin. Prindërit e saj lajmëruan në polici se vajza e tyre ishte zhdukur. Çifti u mbajt brenda natës në stacionin e policisë dhe të nesërmen iu lejua të martoheshin pasi policia kuptoi se të dy ishin muslimanë.

Dy ditë pas incidentit, policia sqaroi se veprimi i ndërmarrë prej tyre nuk përbënte shkelje të të drejtave të njeriut. Policia pohoi se nuk shkeli asnjë ligj dhe vetëm hetoi një çështje penale sipas ligjit të ri kundër konvertimit.

Ligji mund të përdoret për të shënjestruar çiftet ndërfetare mes muslimanëve dhe besimtarëve hindusë

Muajin e kaluar, shteti më i madh i Indisë, Uttar Pradesh, nën presionin e grupeve hinduse të krahut të djathtë, prezantoi një ligj të diskutueshëm të quajtur "Ndalimi i Ceremonive të Konvertimit të Paligjshëm 2020", kundër të ashtuquajturit "xhihadi i dashurisë".

Ligji i ri parashikon që çiftet ndërfetare, të cilët dëshirojnë të martohen, duhet të informojnë autoritetet lokale dy muaj më parë dhe i njëjti ndalon konvertimet mashtruese dhe të dhunshme, duke përfshirë konvertimin për martesë. Ligji parasheh gjithashtu burg deri në 10 vjet për shkelësit. Urdhëresa u miratua përkundër debateve në media dhe diskutimeve intensive mbi "xhihadin e dashurisë".

Kritikët argumentojnë se ligji shënjestron meshkujt muslimanë dhe mund të përdoret për të penguar çiftet ndërfetare hindusë-muslimanë. Por shumë shtete të tjera të drejtuara nga partia në pushtet BJP kanë përgatitur ose po përgatisin ligje të ngjashme.

Sapo ligji i ri hyri në fuqi në Uttar Pradesh, u regjistruan shumë ankesa policore, por disa prej tyre rezultoi të jenë të motivuara pa ndonjë dëshmi të besueshme.

Rasti i parë u regjistrua në qarkun Bareilly, në të cilin policia arrestoi personin e akuzuar brenda një jave dhe e dërgoi atë në burg.

Mirëpo, kur familja e një vajze një javë më vonë në të njëjtin qark parashtroi ankesë, policia refuzoi të regjistrojë rastin, me gjasë sepse në këtë rast personat e akuzuar ishin hindusë dhe jo muslimanë.

Më 5 dhjetor, Shahid Mian, i cili jeton pranë stacionin policor Premnagar të qarkun Bareilly, parashtroi ankesë se vajza e tij 22-vjeçare ishte rrëmbyer nga tre persona.

Shahid ngriti një akuzë kundër Siddharth Saxena, të njohur si Aman, motrës së tij Chanchal dhe Manoj Kumar Saxena, pronari i një kompanie.

"Më 1 dhjetor, vajza ime u zhduk. Ne bëmë një ankesë policore më 5 dhjetor që vajza ime ishte rrëmbyer nga Manoj dhe Aman. Policia e rimori vajzën të nesërmen, por neve nuk na u lejua që ta takojmë. Ne jemi të shqetësuar për mirëqenien e saj", tha Shahid për AA.

Megjithatë, zyrtari policor Ravindra Kumar tha se vajza ka thënë se dëshiron të jetojë me Amanin. Ai tha se vajza dhe djali janë të rritur dhe ata janë të lirë të martohen dhe nuk ka diçka të tillë si konvertim i detyruar në këtë rast. Por në raste të ngjashme, meshkujt muslimanë menjëherë arrestohen kur bëhen ankesa kundër tyre.

Muslimani arrestohet menjëherë

Në një rast tjetër të ngjashëm, 22-vjeçari Rashid Ali dhe vëllai i tij Salim u arrestuan në qarkun Moradabad, pasi Rashid duhej të regjistronte martesë me të dashurën e tij.

Policia thotë se familja e vajzës kishte bërë një ankesë që Rashid kishte konvertuar me forcë dhe dëshironte të martohej me vajzën e tyre.

Mirëpo, Rashid u tha përfaqësuesve të mediave se vajza kishte pranuar martesën me të pa ndonjë presion dhe ata do të regjistronin martesën.

Banorët vendas thanë se disa persona të grupit të krahut të djathtë "Bajrang Dal" krijuan trazira dhe bënë presion mbi policinë për të arrestuar të riun duke parashtruar një rast nën urdhëresën e re.

Sipas disa kritikëve, në disa raste kur të rinjtë muslimanë u arrestuan, nuk u morën as deklaratat e tyre dhe as të vajzave, megjithëse ata ishin të moshës së rritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat