E tmerrshme: Vëllai e vret motrën ‘për nder’ dhe e incizon vrasjen e saj

Azia

E tmerrshme: Vëllai e vret motrën ‘për nder’ dhe e incizon vrasjen e saj

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 15:55
Vrasësi është anëtar i Ushtrisë së Lirë Siriane,

Pamjet në të cilat shihet ekzekutimi i një vajze siriane nga vëllai i saj kanë shkaktuar trishtim dhe reagime të shumta. Sidoqoftë, kjo formë e krimit është mjaft e zakonshme në Siri. Vrasësi është anëtar i Ushtrisë së Lirë Siriane, e cila e ka policinë dhe gjykatat e veta, prandaj do të mbetet i paprekshëm.

Duke e mbajtur kallashnikovin në njërën dorë, burri e shikon kamerën. Ai qëndron pranë një vajze të trishtuar, e cila lutet për jetën e vet. “Sigurohu që në kamerë të shihen fytyrat e të dyve”, urdhëron një zë prapa kamerës. Pa u thënë asnjë fjalë tjetër, një breshëri plumbash zbrazet në trupin e Rasha Bseis-it.

U nevojitën nëntë sekonda që ajo të ndërrojë jetë. Ajo u vra para kamerës nga vëllai i saj, i shtyrë nga thashethemet se ajo kishte pasur marrëdhënie intime të palejuara dhe për këtë, sipas këndvështrimit të vëllait të saj, ajo e meritonte vrasjen.

Image

Ndonëse Siria është aktualisht fushëbetejë e një lufte të përgjakshme, ky ekzekutim, i cili u shpërnda me mijëra herë në internet, e shokoi popullsinë e vendit. Rasha ishte nxjerrë nga shtëpia dhe ishte dërguar në një kamp, i cili ndodhet vetëm dy kilometra larg kufirit me Turqinë. Një reagim për këtë vrasje ka ardhur edhe nga ushtria së cilës vrasësi i përket. “Ajo që bëri ai nuk ka të bëjë me etikën e ushtrisë sonë dhe është në kundërshtim me parimet e revolucionit tonë”, tha Mustafa Sejari, zëdhënës i Ushtrisë së Lirë Siriane, duke shtuar se e kanë filluar një hetim për këtë ngjarje dhe se një gjykatë ushtarake ka lëshuar fletëarrest për vrasësin.

Sidoqoftë, edhe pse kanë kaluar disa javë, vrasësi ende nuk është arrestuar dhe besohet se ai asnjëherë nuk do të dalë para drejtësisë. “Ka njerëz që nuk turpërohen për ta vrarë një vajzë, por që mendojnë se e pastrojnë turpin që ajo ua ka sjellë në familje. Një vajzë është vrarë për shkak se disa djem ia kanë publikuar fotografitë në Facebook”, thotë Loubna Mrie, një shkrimtare e larguar nga Siria.

Ajo thotë se të ashtuquajturat “vrasjet e nderit” paraqesin një problem që është thellë i rrënjosur në shoqërinë siriane dhe këtu nuk bën përjashtim asnjë zonë dhe asnjë sekt i caktuar. Edhe para fillimit të luftës në vitin 2011, grupet për të drejtat e grave kishin deklaruar se në Siri për çdo vit vriten rreth 300 gra nga të afërmit e tyre për këtë arsye. Ky numër besohet se është rritur edhe më shumë gjatë kohës së luftës.

Deri në vitin 2009, vrasësit edhe me ligj ishin të lirë, nëse e arsyetonin vrasjen me motivin e ruajtjes së nderit. Sidoqoftë, qeveria e tërhoqi atë ligj, duke e zëvendësuar me një ligj që jep një dënim maksimal prej vetëm dy vitesh burgim për një vepër të tillë, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat