Lirohet kleriku radikal, i lidhur me sulmin në Bali

Azia

Lirohet kleriku radikal, i lidhur me sulmin në Bali

Më: 8 janar 2021 Në ora: 12:23
Pjesëtarë të grupit Jemaah Islamiah, i cili është përgjegjës për sulmin e vitit 2002 në Bali të Indonezisë.

Një klerik radikal mysliman, i cili ka lidhje me bombardimet e vitit 2002 në Bali, u lirua, pasi përfundoi dënimin për financimin e trajnimit të militantëve islamikë.

Abu Bakar Ba'asyir u mor nga familja e tij, nga një burg jashtë kryeqytetit Xhakarta, të premten në mëngjes.

Ba'asyir, 82 vjeç, është ish-udhëheqës i grupit Jemaah Islamiah, i cili është përgjegjës për sulmin që ka vrarë 202 njerëz.

Ky grup është i frymëzuar nga rrjeti terrorist i Al Kaidës.

Autoritetet thanë se Ba'asyir do të hyjë tani në një program të deradikalizimit.

Njerëz nga 21 vende kanë vdekur në sulmin e 12 tetorit, 2002, në ishullin e Balit.

Ai mbetet edhe sot sulmi më vdekjeprurës terrorist i Indonezisë.

Lirimi i Ba'asyirit ka shkaktuar reagime të ndryshme në Indonezi, si dhe në Australi, vendit prej nga kanë qenë shumica e viktimave.

Kryeministri australian, Scott Morrison, tha se kjo është "shqetësuese" për familjet e viktimave.

Ba'asyir ka mohuar çdo përfshirje në terrorizëm, por ai ka qenë komandant i grupit Jemaah Islamiah në kohën e bombardimeve në Bali.

Disa e përshkruajnë atë si "ideator" të sulmit, por roli i tij i saktë mbetet i paqartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat