Grusht shteti në Mianmar: Padi e re kundër Aung San Suu Kyi

Azia

Grusht shteti në Mianmar: Padi e re kundër Aung San Suu Kyi

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 20:17
Protestuesit mbajnë fotografinë e udhëheqëses së rrëzuar të Mianmarit Aung San Suu Kyi, gjatë protestave kundër grusht shtetit më 15 shkurt 2021

Udhëheqësja de fakto e Mianmarit (Birmanisë), Aung San Suu Kyi, është ngarkuar me një padi të re penale. Ajo u paraqit në gjykatë përmes video-lidhjes, derisa gjendet në arrest që nga 1 shkurti, kur ushtria bëri grusht shtet.

Akuza e parë ndaj saj kishte të bënte me posedimin në mënyrë të paligjshme të radio lidhjeve, ndërsa tash është akuzuar për shkelje të Ligjit për Katastrofat Natyrore të vendit. Protestat në Mianmar kundër grusht shtetit po vazhdojnë ndërsa ushtria përsëriti premtimin e saj për të hequr dorë nga pushteti pasi të mbahen zgjedhjet e reja.

Pas grusht shtetit ushtarak, protestuesit po kërkojnë lirimin e udhëheqësve të tyre të zgjedhur, përfshirë zonjën Suu Kyi.

Ushtria ka arsyetuar puçin, duke argumentuar se qeveria e Suu Kyisë ka dështuar që të hetojë pretendimet për mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Megjithatë, Komisioni Zgjedhor ka thënë se nuk ka gjetur prova për të mbështetur këto pretendime të ushtrisë.

Më 12 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqësve të puçit ushtarak në Mianmar. Sanksionet godasin dhjetë individë, përfshirë ushtruesin e detyrës së presidentit, dhe tri kompani. Hapa u ndërmorën edhe për të bllokuar qasjen e ushtrisë në një miliard dollarë fonde të Qeverisë së Mianmarit, që mbahen në SHBA./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat