Të paktën dy të vrarë në protestat në Mianmar

Azia

Të paktën dy të vrarë në protestat në Mianmar

Më: 14 mars 2021 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Të paktën dy persona janë qëlluar për vdekje në kryeqytetin e Mianmarit, Rangoon, teksa forcat e sigurisë po vazhdojnë shtypjen e protestave kundër puçit ushtarak në këtë shtet.

Të dy viktimat janë qëlluar për vdekje nga policia, raportuan mediat lokale më 14 mars.

Në videot e publikuara në mediat sociale shihen turmat e njerëzve duke ikur nga policia, ndërkaq dëgjohen edhe të shtëna me armë zjarri.

Protesta, përveç në Rangoo, po mbahen edhe në qytetin Dawei.

Një ditë më parë, katër protestues u vranë në Mandalay – qytetin e dytë më të madh në Mianmar – dy protestues u vranë në Pyay dhe një në Twante.

Kombet e Bashkuara kanë thënë javën e kaluar se në Mianmar – që njihet ndryshe edhe si Birmani – të paktën 70 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë, që prej se ushtria mori kontrollin më 1 shkurt.

Më 13 mars, ushtruesi i kryetarit të qeverisë civile të Mianmarit, i cili gjendet në lokacion të panjohur, Mahn Win Khaing Than tha se shteti po kalon nëpër “momentin më të errët”.

Mahn Win Khaing Than është anëtar i partisë së Aung San Suu Kyisë, e cila është arrestuar nga ushtria, së bashku me bashkëpartiakët e saj.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi para ushtrisë së padrejtë, por ne do të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku, duke bashkuar forcat”, tha ai përmes një video-mesazhi të publikuar në mediat sociale.

“Misioni ynë do të përmbushet”, shtoi ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat