Irani fillon pasurimin e uraniumit me centrifuga më të avancuara

Azia

Irani fillon pasurimin e uraniumit me centrifuga më të avancuara

Më: 17 mars 2021 Në ora: 21:58
Pamje satelitore e uzinës Natanz të Iranit.

Irani ka vazhduar me shkeljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, pasi ka filluar pasurimin e uraniumit në uzinën e tij nëntokësore Natanz, përmes një teknologjie më të avancuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) Rafael Grossi, tashmë i ka informuar vendet anëtare se, Irani tani po përdor centrifuga më të shpejta për të pasuruar uraniumin deri në pastërtinë 5 për qind.

Përdorimi i centrifugave të avancuar është shkelje e marrëveshjes bërthamore, e cila lejon vetëm centrifuga më të ngadalta. Grossi tha se Irani ka në plan të instalojë edhe centrifuga tjera, por instalimi ende nuk ka filluar.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018. Që nga ajo kohë Irani gradualisht ka shkelur kufizimet në marrëveshje. Ish-presidenti amerikan, Donald Trump kishte deklaruar atëbotë se marrëveshja ishte e keqe dhe se ajo i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore. Ai kishte vendosur sanksione shkatërruese ndaj Iranit.

Irani kërkon që SHBA-ja të heqë sanksionet dhe që nënshkruesit tjerë tjerë të mbetur - Kina, Rusia, Gjermania, Franca dhe Britania - të veprojnë në përputhje me angazhimet e tyre dhe të kompensojnë sanksionet me stimuj ekonomikë.

Administrata e re e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka treguar se është e hapur për negociata të mundshme për një kthim të SHBA-së në marrëveshje, por kërkon që Irani të veprojë i pari në respektimin e angazhimeve që dalin nga marrëveshja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat