Hong Kong, 7 aktivistë pro-demokracisë dënohen për pjesëmarrje në prostesat e vitit 2019

Azia

Hong Kong, 7 aktivistë pro-demokracisë dënohen për pjesëmarrje në prostesat e vitit 2019

Më: 1 prill 2021 Në ora: 19:02
Hong Kong

Shtatë nga aktivistët e shquar pro-demokracisë në Hong Kong u shpallën fajtorë për organizimin dhe pjesëmarrjen në një protestë të paligjshme anti-qeveritare të vitit 2019. Protestat e vitit 2019 morën shkas nga miratimi i një ligji kinez të debatueshëm për ekstradimet.

Në mesin e aktivistëve të shpallur fajtorë ishin avokati 82-vjeçar Martin Lee, një nga themeluesit e Partisë Demokratike të opozitës, dhe manjati i mediave Jimmy Lai, themeluesi i gazetës pro-demokracisë Apple Day.

Aktivisti për të drejtat e punës, Lee Cheuk-yan foli me mbështetësit e tij jashtë sallës së gjyqit para fillimit të seancës.

"Do të ketë ndjekje të shumta politike në Hong Kong dhe kjo nuk është asgjë e re. E vetmja shpresë që kam sot është tek një lajm i mirë, por në Hong Kong tani nuk mund të gjeni lajme të mira për shkak të shtypjes politike. Por, ne do të marshojmë pavarësisht se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ne besojmë tek njerëzit e Hong Kongut, tek vëllezërit dhe motrat tona në përpjekjen tonë, dhe fitorja është e jona, nëse njerëzit e Hong Kongut janë këmbëngulës", tha aktivisti pro-demokracisë, Lee Cheuk-yan.

Shtatë aktivistët u arrestuan vitin e kaluar për pjesëmarrje në një protestë më 18 gusht të vitit 2019, e cila mblodhi më shumë se një milion njerëz. Ajo ishte një nga protestat më të mëdha të atij viti në Hong Kong dhe u shoqërua me përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë.

Protestat u shkaktuan nga një projektligj i debatueshëm ekstradimi, dhe u shndërruan në një kërkesë për liri më të mëdha për Hong Kongun, të cilit iu dha një status i pazakontë autonomie pasi Britania ia dorëzoi Kinës kontrollin e tij në vitin 1997.

Protestat nxitën Pekinin të impononte një serë masash që kishin në shënjestër shkatërrimin e lëvizjes pro-demokratike të Hong Kongut, duke përfshirë miratimin e një ligji të ri të sigurisë kombëtare, sipas të cilit, kushdo që dyshohet se është përfshirë në terrorizëm, separatizëm, përmbysje të pushtetit ose bashkëpunim me forcat e huaja mund të gjykohet dhe të përballet me burgim të përjetshëm.

Legjislatura kombëtare e Kinës miratoi një sërë ndryshimesh në procesin zgjedhor të Hong Kongut në fillim të kësaj jave për të siguruar që vetëm besnikët e Pekinit të mund të shërbejnë në legjislaturën e qytetit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat