Aktivisti Jimmy Lai dënohet me 1 vit e 2 muaj burgim për protestat në Hong-Kong

Azia

Aktivisti Jimmy Lai dënohet me 1 vit e 2 muaj burgim për protestat në Hong-Kong

Më: 16 prill 2021 Në ora: 17:40
Jimmy Lai

Aktivisti nga Hong-Kongu, Jimmy Lai, është dënuar të premten me 1 vit e dy muaj burgim për organizimin e protestave masive pro-demokracisë në qytetin e administruar nga Kina.

Lai ishte në mesin e disa aktivistëve që u shpallën fajtorë lidhur me organizimin e protestave të vitit 2019. 73-vjeçari është themelues i medias “Apple Daily” dhe kritik i zëshëm i Pekinit.

Dënimi ndaj tij është pjesë e planeve të gjera të Kinës për shtypjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve në Hong-Kong.

Dënimeve me burgim nuk u kanë shpëtuar as aktivistët e tjerë që organizuan dy demonstrata të mëdha më 18 dhe 31 gusht 2019.

Lait dënimi iu shqiptua për demonstratën e 18 gushtit, ndërsa tetë muaj të tjerë iu dhanë për atë të 31 gushtit.

Megjithëkëtë, gjykata në Hong-Kong e uli dënimin, duke ia hequr gjashtë muaj të burgimit.

Mirëpo aktivisti përballet edhe me gjashtë akuza të tjera, dy prej të cilave e mbartin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.

Me ligjin e ri të sigurisë, Kina ka shtypur çdo ngritje pro-pavarësisë në Hong-Kong.

Sipas këtij ligji, çdo protestë me kërkesë pavarësinë është e dënueshme me burgime disavjeçare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat