Indi, popullata e revoltuar nga ritmet e ulëta të vaksinimit

Azia

Indi, popullata e revoltuar nga ritmet e ulëta të vaksinimit

Më: 2 maj 2021 Në ora: 17:11
Indi

India vazhdon të jetë e mbërthyer në një krizë akute me koronavirusin. Një tjetër rekord u thye brenda 24 orëve të fundit kur u regjistruan mbi 400,000 infektime të reja dhe afro 3700 të vdekur.

Por megjithë situatën shqetësuese, autoritetet nuk kanë ndaluar aktivitetet elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore. Komisioni zgjedhor ka filluar të numërojë votat dhe gjatë ditëve të fundit kur situata me COVID-in po keqësohej dhe nuk i ndali tubimet politike.

Megjithëse në Indi ndodhet fabrika më e madhe në botë për prodhimin e vaksinave, e njohur si Instituti Indian i Serumeve, vetëm 2 për qind e 1.3 miliardë banorëve të vendit janë vaksinuar, sipas njoftimeve.

Të shtunën, autoritetet deklaruan se çdokush mbi 18 vjeç kualifikohet tani për vaksinim, por shumë klinika kanë raportuar mungesa në furnizime. Drejtori i institutit të vaksinave është bërë objekt kritikash për mungesat. Ai ndodhet aktualisht në Britani, por pas reagimit të fortë publik, miliarderi 40-vjeçar tha se po kthehet në Indi. Pas revoltimit të popullatës lidhur me mungesat e vaksinave, autoritetet kanë deklaruar se do të dërgojë forca mbrojtëse përreth institutit.

Një numër vendesh kanë reaguar duke ofruar ndihma për spitalet e mbingarkuara të Indisë.

Ndërkaq, situata paraqitet kritike edhe në Brazil, ku megjithë shtimin e rasteve të infektimeve, mijëra vetë mbushën rrugët të shtunën në Brazilia, San Paolo dhe Rio de Zhaneiro, në tubime në mbështetje të Presidentit Jair Bolsonaro. Deri tani Brazili ka regjistruar mbi 400,000 vdekje nga COVID-19, vendi i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara për nga numri total i viktimave./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat