VOA: Pheniani paralajmëron rreth një incidenti të rëndë lidhur me koronavirusin

Azia

VOA: Pheniani paralajmëron rreth një incidenti të rëndë lidhur me koronavirusin

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 16:17
Kim Jong Un

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un thotë se një "incident i rëndë" ka kërcënuar përpjekjet e vendit për të parandaluar koronavirusin, një pohim i rrallë i Phenianit që pretendon se nuk është prekur nga COVID-19.

Gjatë një takimi të Byrosë Politike të Partisë së Punëtorëve, Kim kritikoi zyrtarët e lartë për pakujdesi lidhur me pandeminë e koronavirusit. Lajmi, që nuk përmban hollësi të tjera, u njoftua të mërkurën nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA).

Zyrtarët "kanë shkaktuar një incident të rëndë që paraqet një krizë të madhe për sigurinë e kombit dhe njerëzve të tij", thuhej në njoftimin e agjencisë (KCNA).

Njoftimi nuk jep detaje në lidhje me "incidentin e rëndë" dhe përse ai paraqiste një kërcënim të madh. Koreja e Veriut vazhdon të këmbëngulë se nuk ka asnjë rast me COVID-19, një pretendim gati i pamundur për t’u besuar, që kundërshtohet gjerësisht nga ekspertët globalë të shëndetit.

Nuk është e qartë nëse pranimi i dështimit të njoftuar të mërkurën pasqyron ndonjë ndryshim në qasjen e Phenianit ndaj virusit, apo nëse ishte një pretekst për spastrime të brendshme.

Në njoftim thuhej se gjatë takimit të Byrosë Politike u zëvendësuan disa zyrtarë të lartë, por nuk u tha nëse lëvizjet kishin të bënin me incidentin e koronavirusit.

Që nga janari i vitit 2020, Koreja e Veriut i ka mbyllur kufijtë e vendit, ka kufizuar udhëtimet e brendshme si dhe ka ndërprerë pothuajse gjithë aktivitetet tregtare me Kinën, tek e cila varet për të përmbushur nevojat thelbësore të vendit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat