Zonja e Parë Jill Biden mbërrin në Tokio për Lojërat Olimpike

Azia

Zonja e Parë Jill Biden mbërrin në Tokio për Lojërat Olimpike

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 22:00
Zonja Biden mbërriti në bazën ajrore Yokota, ku u prit nga ministri i Jashtëm japonez, përpara një darke të planifikuar në mbrëmje me kryeministrin Yoshihide Suga dhe bashkëshorten e tij Mariko Suga

Zonja e parë Jill Biden është në Japoni, ku po udhëheq delegacionin diplomatik amerikan në Lojërat Olimpike të Tokios.

Lojërat u vonuan një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe ende qëndrojnë nën hijen e tij.

Zonja Biden mbërriti në bazën ajrore Yokota, ku u prit nga ministri i Jashtëm japonez, përpara një darke të planifikuar në mbrëmje me kryeministrin Yoshihide Suga dhe bashkëshorten e tij Mariko Suga në Pallatin Akasaka.

Të premten, ajo do të takohet me Perandorin Naruhito në Pallatin e tij, por para kësaj, pritet të zhvillojë një takim virtual me ekipin amerikan.

Zonja Biden ka në plan të marrë pjesë në ceremonitë e hapjes së Lojrave Olimpike të premten si pjesë e një delegacioni me dy persona. Zyrtarët thanë se ajo do të jetë në delegacion së bashku me zotin Raymond Greene, i cili po shërben si i ngarkuari me punë i ambasadës në mungesë të një ambasadori.

Infeksionet e koronavirusit të Tokios arritën shifrën më të lartë në gjashtë muaj të mërkurën tha agjencia Associated Press. Qyteti është në gjendje të jashtëzakonshme për të katërtën herë për shkak të pandemisë e cila këtë herë do të zgjasë deri më 22 gusht. Lojrat Olimpike përfundojnë më 8 gusht.

Spektatorët nuk lejohen në të gjitha aktivitetet në zonën pranë Tokios, dhe vetëm disa do të lejohen në vendet periferike.

Disa informacione në këtë raportim vijnë nga agjencitë AP dhe Reuters./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat