Emigrantët afganë, të shqetësuar për familjet e tyre në Afganistan

Azia

Emigrantët afganë, të shqetësuar për familjet e tyre në Afganistan

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 20:14
Kabul

Marrja e Afganistanit nga talibanët ka shkaktuar kaos në vend.

Ndërsa shtetasit e huaj janë përpjekur të largohen, kjo nuk është një mundësi për shumicën e 38 milionë banorëve të Afganistanit. Por ata nuk janë të sigurt në shtëpitë e tyre.

Pandemia e Covid-19, ndryshimi i klimës dhe konflikti kanë shkaktuar nevoja humanitare akute për 18.4 milionë njerëz në Afganistan, thotë Marcus Skinner, këshilltar i lartë për politikat humanitare dhe Konfliktet në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC).

"Në 17 ditët e fundit, numri i personave të zhvendosur brenda vendit është rritur me 65 përqind, gjë që është vërtet tronditëse. Dhe padyshim tani kemi ndikimin e konfliktit tek civilët. Ky pritet të jetë viti më vdekjeprurës për civilët në një dekadë", shtoi ai.

Ajo që ndodh pas konfliktit është një shqetësim i madh për organizatat bamirëse si Freedom From Torture, me qendër në Londër, e cila ofron terapi për viktimat e torturës.

Talibanët kanë qenë një shqetësim për drejtorin e kësaj organizate për politikat, Steve Crenshaw.

"Shumë nga klientët tanë, shumë prej të mbijetuarve të torturës kanë ardhur nga Afganistani. Disa prej tyre kanë vuajtur në duart e forcave të qeverisë afgane, por shumica dërrmuese kanë vuajtur tmerrësisht në duart e talebanëve, duke përjetuar tortura të tmerrshme", thotë ai.

Organizata Freedom from Torture ka ndihmuar shumë afganë që kanë ikur nga vendi i tyre dhe pret që numri i tyre të rritet tani duke marrë parasysh largimin e shumë njerëzve nga Afganistani.

Waheed Arian u largua nga Afganistani më shumë se 20 vjet më parë.

Ai u rrit në kohën e konfliktit sovjetik të viteve 1980 dhe familjes së tij iu desh të ikte vazhdimisht për të mbijetuar.

Ata kaluan kohë në një kamp refugjatësh në Pakistan në kushte të tmerrshme para se të ktheheshin në Kabul pas tërheqjes së sovjetikëve.

Por duke marrë parasysh rrezikun për jetën e tij, kur Waheed-i ishte vetëm 15 vjeç, familja e tij vendosi ta dërgonte atë në Britani.

Pavarësisht arsimimit të pakët gjatë fëmijërisë së tij kaotike, Waheed falë angazhimit të tij arriti të pranohej në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit për të studiuar në degën e mjekësisë.

Ai tani ka një karrierë dhe jetë të mirë në Britani, por lajmet e fundit nga Afganistani e kanë shqetësuar shumë atë.

"Vëllai i madh dhe shtatë motrat e mia ndodhen në Afganistan. Unë përpiqem t'i inkurajoj ata, t’u japë shpresë, duke u thënë se e ardhmja do të jetë më e mirë. Por, pasi mbaroj bisedat telefonike më anëtarët e familjes, më shpërthejnë lotët. Nuk e disa se çfarë të ardhme do të kenë ata dhe kam frikë për jetët e tyre", thotë ai.

Waheed punon për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar Britanik, por mendjen e ka tek Afganistani.

Waheed ka themeluar organizatën bamirëse telemjekësore Arian Teleheal, që ua mundëson mjekëve në Afganistan konsultimin me ekspertë mjekësorë të vendeve të tjera.

"Gjatë ditëve të fundit ne kemi marrë njoftime për plagosje nga shpërthimet dhe trauma të shkaktuara nga luftimet e fundit. Shpresoj të mos ketë shumë gjakderdhje sepse kjo do të ishte e vështirë për t’u përballuar nga populli i Afganistanit dhe organizatat humanitare", thotë ai.

Waheed, i cili për herë të fundit e vizitoi Afganistanin në vitin 2017, shpreson që komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat humanitare nuk do ta braktisin vendin. Ai nuk e di se kur do të mund ta shohë përsëri familjen e tij.

"Kam pyetur familjen se çfarë duan të bëjnë. Motrat e mia janë të martuara, me fëmijë dhe nuk dinë se ku të shkojnë. Ato thonë se të gjithë fëmijët dhe të afërmit e tyre janë atje. Babai është lodhur nga lëvizjet e shpeshta dhe thotë se nëse do të vdes, atëherë më mirë të vdesë në vendin tim", thotë Waheed-i. E ardhmja duket më e zymtë se kurrë në këtë vend të trazuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat