Muzikantët afganë nën frikë dhe pasiguri

Azia

Muzikantët afganë nën frikë dhe pasiguri

Më: 29 gusht 2021 Në ora: 19:33
Orkestër e Institutit afgan të Muzikës (ANIM) në Kabul. Foto nga arkivi.

Muzikanti i ri Ahmad Khan e ka përjetuar si fundin e botës ditën kur talibanët pushtuan kryeqytetin afgan, Kabul.

Marrja nën kontroll e kryeqytetit afgan pasoi një fushatë të shpejtë dhe të ashpër të vënies nën kontroll të të gjithë vendit derisa qeveria pro-perëndimore afgane po dorëzohej pa ndonjë kundërshtim të fuqishëm.

Për arsye sigurie, ky muzikant e përdorë pseudonimin Khan. Ai ka siguruar të ardhurat e tij përmes instrumentit “rubab” që është i ngjashëm me kitarën. Ai ishte i kënaqur me të ardhurat e tij që i siguronte përmes performimit në dasma dhe manifestime tjera.

Por, që kur talibanët u kthyen në Kabul, ai është fshehur dhe nuk ka mundësi të fitojë para përmes muzikës.

"Tani ne jemi shumë të shqetësuar dhe të tmerruar pasi përmes artit e kemi siguruar jetesën tonë", tha ai për shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë.

"Ne nuk kemi aftësi të tjera dhe nuk do të jemi në gjendje të bëjmë një punë tjetër apo të kemi karrierë në ndonjë profesion tjetër. Për dallim nga njerëzit tjerë neve nuk na ofrohet mundësia të ikim në një vend tjetër", tha ai.

Khan dëshiron që talibanët të njoftojnë se cilat ligje dhe rregulla do të zbatojnë sa i takon muzikës dhe artit në përgjithësi.

"Thënë të drejtën ne nuk e dimë cili do të jetë fati ynë", tha ai.

"Ne kërkojmë që talibanët të na tregojnë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjmë në mënyrë që të vazhdojmë jetën tonë. Muzikantët tashmë janë të detyruar të shesin instrumentet për t'i mbijetuar pasigurisë aktuale", shtoi Khan.

Udhëheqja talibane deri më tani ka lënë të kuptohet se do të ndalojë muzikën.

"Ligjet tona në të ardhmen do të bazohen në Ligjin islamik të Sheriatit. Pra, ne do të lejojmë gjithçka që lejon Sheriati. Shpresoj se bashkëvendasit e mi do të ndryshojnë profesionet e tyre pasi është mirë për të gjithë ne që të kalojmë jetën në përputhje me mësimet islame”, u tha Zabiullah Mujahid, një zëdhënës i talibanëve, gazetarëve më 24 korrik.

Ai ka shtjelluar më shumë qëndrimet e tyre për muzikën gjatë një interviste për The New York Times.

Mujahid tha se muzika nuk do të lejohet në publik.

"Muzika është e ndaluar në Islam, por ne shpresojmë se do të mund t’i bindim njerëzit të mos merren me gjëra të tilla në vend se t’iu bëjmë presion”, pohoi ai.

Mediat afgane ende janë konfuze nëse talibanët do të lejojnë njerëzit të bëjnë muzikë apo do t’iu ndalojnë këtë.

Në kushte anonimiteti, një punëtor afgan, tha se shefi i ardhshëm taliban i Radio Televizionit të Afganistanit i ka thënë stafit të ndalojë muzikën.

Por, një punonjës tjetër, gjithashtu përmes anonimitetit, tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë urdhri të tillë.

Megjithatë, disa stacione televizive dhe radio private vazhdojnë të transmetojnë pak muzikë dhe disa telenovela lokale dhe të dubluara.

Por, janë shumë të kujdesshëm se çfarë lloj muzike dhe emisione transmetojnë gjatë kësaj periudhe tranzicioni derisa talibanët të formojnë atë që kanë thënë të jetë “qeveri përfshirëse islame".

Disa radio stacione tjera e kanë ndaluar muzikën dhe nuk po transmetojnë më emisione argëtuese, komedi dhe telenovela.

Skema e tyre programore përbëhet nga recitimet e Kuranit dhe programet fetare.

Në provincën Nangarhar që gjendet në lindje të Afganistanit, një muzikant i tha Radios Evropa e Lirë, se ende nuk dihet nëse 470 muzikantët dhe këngëtarët do të mund të vazhdojnë të merren me muzikë derisa të marrin një vendim nga kreu i ri i zyrës së kulturës dhe informacionit të provincës.

"Në fakt ne gjithmonë kemi qenë kundër videove vulgare të vallëzimit dhe skenave tjera që janë krijuar me një shije të keqe artistike", tha ai duke kërkuar të mos i publikohet emri për shkak të frikës.

"Ne shpresojmë se talibanët nuk do të na ndalojnë plotësisht të luajmë muzikë tradicionale afgane", tha ai.

Por, shumë muzikantë afganë po përgatiten për më të keqen.

"Shqetësimet e mia e kanë bazën të politikat e kaluara të talibanëve kundër muzikës, artit dhe kulturës", tha Ahmad Sarmast, kreu i Institutit Kombëtar të Muzikës në Afganistan (ANIM).

Në muajin korrik, ai shkoi në Australi për të takuar familjen dhe për të kërkuar trajtim mjekësor. Ai është i shqetësuar se qëndrimi i mëparshëm i talibanëve ndaj muzikës do të pasqyrohet edhe në politikat e tyre të ardhshme.

"Ne të gjithë i kemi ende kujtimet e së kaluarës: shkatërrimin e veglave muzikore, varjen e instrumenteve në pemë dhe ndëshkimin e njerëzve për vallëzim, mësim ose dëgjim të muzikës", tha ai.

Kujtimet e tij dhe afganëve janë ende të freskëta kur talibanët sunduan vendin ndërmjet viteve 1996-2001.

"Bazuar në mënyrën se si talibanët po sillen tani në Kabul, ne kemi arsye të shqetësohemi për të ardhmen e muzikës në Afganistan", u shpreh ai.

Instituti Kombëtar i Muzikës në Afganistan është hapur në vitin 2010. Ky institucion është një shkollë që ka ringjallur trashëgiminë muzikore të Afganistanit.

Orkestra e tij ka performuar në të gjithë botën dhe institucioni ka trajnuar një brez të ri muzikantësh, kompozitorësh dhe këngëtarësh.

Por, shkolla është mbyllur që kur talibanët u futën në Kabul.

Kreu i këtij instituti tha se nëse nuk kanë garanci për sigurinë kjo shkollë nuk do të hapet.

“Jam i shqetësuar me sigurinë e studentëve dhe të ardhmën e shkollës”, tha ai.

Jasmina Lazoviq është koordinatore e programit të monitorimit global në “Freemuse”, një organizatë joqeveritare me seli në Suedi. Kjo organizatë merret me mbrojtjen e dhe garantimin e shprehjes artistike.

Ajo tha se pasiguria sa i takon Qeverisë së ardhshme të Afganistanit i vendos artistët në një pozitë të ndjeshme -veçanërisht gratë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut që kanë marrë pjesë në aktivitetet e qeverisë së mëparshme.

“Pasiguri dhe frikë nga hakmarrja. Kështu mund të shpjegohet më së miri situata aktuale e artistëve”, tha Lazoviq.

Ajo tha se qeveritë perëndimore duhet të ndihmojnë evakuimin e artistëve që janë në rrezik.

"Hapi kryesor i mëtejshëm do të ishte të punosh me Qeverinë e ardhshme afgane dhe të marrësh garanci se ajo do të respektojë të drejtat e njeriut në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në të cilat Afganistani ka qenë palë për dekada të tëra", shtoi ajo.

Kthimi i talibanëve në pushtet ka bërë jehonë edhe në vendet fqinje.

Shakeela Naz, një këngëtare e njohur në Pakistan, ka një bazë të madhe adhuruesish të muzikës së saj në mesin e pashtunëve në Afganistan.

Ajo po u kërkon talibanëve që para se të marrin ndonjë vendim për muzikën të shikojnë politikat në vendet e tjera myslimane.

"Në vendet myslimane si Arabia Saudite ka muzikë, drama, poezi, film dhe arte të tjera", tha ajo.

"Përmes shtypjes së artistëve nuk do të arrijnë asgjë pasi ata tashmë janë përballur me shumë vuajtje për shkak të luftës atje", shtoi këngëtarja Naz.

Abdul Ghafoor Liwal, një shkrimtar, poet dhe ish-zyrtar afgan, tha se ruajtja dhe promovimi i artit dhe trashëgimisë kulturore të Afganistanit duhet të jetë një përgjegjësi kryesore e qeverisë së saj.

"Artistët dhe muzikantët janë pjesë e shoqërisë të cilët nuk kanë asnjë rol në formësimin ose ndikimin e politikave qeveritare. Ata duhet të mbrohen", tha ai./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat