Kina ndez konkurrencën digjitale në botë

Azia

Kina ndez konkurrencën digjitale në botë

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 08:45
Një burrë duke kaluar pranë një tabele me logon e gjigantit kinez të teknologjisë Huawei, në Pekin

Tubacionet, rrugët dhe projektet infrastrukturore të nismës kineze “Brezi dhe Rruga” (BRI) kanë tërhequr vëmendje të madhe dhe janë cilësuar si përpjekje e Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe politik në të gjithë botën.

Megjithatë, është një libër i ri tani që fokusohet në anën digjitale të kësaj nisme, që mund të formësojë ekonomitë e së ardhmes.

Libri titullohet “Rruga e mëndafshtë digjitale: Përpjekja e Kinës për të lidhur botën dhe për të fituar të ardhmen”.

Autor i tij është Jonathan Hillman, analist dhe drejtor i Projektit të Rilidhjes së Azisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

“Ne kemi parë vetëm fazën e parë të konkurrencës teknologjike SHBA-Kinë”, thotë Hillman për Radion Evropa e Lirë.

“Por, konkurrenca e vërtetë do të zhvillohet në të gjithë botën në zhvillim”, shton ai.

Pekini dhe Uashingtoni janë duke luftuar për kontrollin e rrjeteve të së ardhmes - nisur nga rrjeti 5G deri te sistemet e mbikëqyrjes, të mundësuara nga inteligjenca artificiale - dhe, siç shkruan Hillman në librin e tij, “luftërat e rrjetit kanë nisur”.

“Ky është një moment kompleks dhe konkurrenca në zhvillim është edhe më komplekse”, thotë ai.

Në muajin gusht, një luftë shumëvjeçare ligjore midis gjigantit kinez të komunikimeve Huawei dhe një kontraktori të vogël në SHBA ka kaluar në një gjykatë federale amerikane. Kjo, pasi kontraktori ka pretenduar se Huawei ia ka vjedhur teknologjinë dhe i ka bërë presion për të krijuar një “derë të pasme”, me qëllim sigurimin e qasjes në një projekt për zbatimin e ligjit në Pakistan.

Zyrtarët amerikanë, prej kohësh, kanë shprehur shqetësime për Huawein, duke thënë se pajisjet e tij mund të përdoren nga autoritetet kineze për të spiunuar vendet që e instalojnë atë.

Huawei i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.

Kontraktori Business Efficiency Solutions ka thënë në padinë e tij se Huawei e ka detyruar të krijojë një sistem, që do t'i jepte kompanisë kineze qasje në informacione të ndjeshme për pakistanezët dhe zyrtarët qeveritarë, përmes projektit të mbikëqyrjes “Qyteti i sigurt”.

Ky projekt i mbështetur nga Kina do të instalohej në Lahore, qytetin e dytë më të madh të Pakistanit.

Mosmarrëveshja është ende në gjykatë. Edhe pse e vogël në shkallë, ajo nënvizon rivalitetin në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zbulimi i këtij labirinti të ndërlikuar të ambicieve gjeopolitike dhe teknologjisë së gjeneratës së ardhshme është në fokus të librit të Hillmanit, i cili u botua më 19 tetor.

Përpjekja e Pekinit për dominimin digjital vjen nga lart. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje që vendi i tij të udhëheqë prodhimin e avancuar deri në vitin 2025, të vendosë standardet për teknologjitë e reja për vitin 2035 dhe të bëhet superfuqi deri në vitin 2050.

Për t’i arritur këto qëllime, Xi i ka nxitur kompanitë kineze që të investojnë shumë në infrastrukturën digjitale brenda Kinës dhe të përhapin më shumë produkte të tyre jashtë vendit, përmes nismës BRI.

Suksesi në këtë do t’i sillte Kinës përfitime komerciale dhe strategjike dhe do t’i mundësonte Pekinit të mbajë frenat në financat globale, në komunikime dhe në rrjedhën e të dhënave, të cilat mund të riformulohen për t’iu përshtatur më mirë interesave të tij gjeopolitikë.

Të gjitha këto avantazhe aktualisht gëzohen nga Shtetet e Bashkuara.

Një pjesë e librit të Hillmanit flet edhe për atë sesi Uashingtoni e ka ndihmuar rritjen e Kinës si fuqi teknologjike, duke besuar se teknologjia mund të luajë rol në mbajtjen e rrjedhës së informacionit të hapur dhe në nxitjen e tranzicionit të Kinës drejt demokracisë.

“Ka pasur një mbivlerësim të teknologjisë dhe është supozuar se përhapja e lidhjeve dhe teknologjisë do të ndihmojë në përhapjen e lirisë”, thotë Hillman.

“Por, teknologjia është një mjet dhe, siç e kemi parë, mund të përdoret gjithashtu për të shtypur dhe për të ndihmuar autoritarët”, shton ai.

Sipas një raporti të vitit 2019 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, 71 për qind e marrëveshjeve që ka bërë Huawei për projektin “Qyteti i sigurt” janë me vendet që kanë të dhëna të dyshimta për të drejtat e njeriut.

Zhvendosja e fushëbetejës

Kompanitë kineze janë zgjeruar me shpejtësi viteve të fundit. Ato kanë fituar një pjesë më të madhe të tregut, duke i ofruar produktet dhe shërbimet e tyre me një çmim më të ulët dhe duke qenë në gjendje për të operuar me më pak mbikëqyrje sesa konkurrentët e tyre perëndimorë.

Në Azinë Qendrore, kompanitë kineze të teknologjisë luajnë rol të madh.

Në vitin 2019, Huawei ka arritur një marrëveshje me Uzbekistanin, në vlerë prej një miliard dollarësh, për të ndërtuar një sistem të monitorimit.

Kompania tjetër kineze, Hikvision, e cila ka zhvilluar një softuer për njohjen e fytyrës, është furnizuese kryesore e qyteteve në të gjithë Kazakistanin.

Një qendër komanduese e policisë, e hapur në vitin 2019 në kryeqytetin e Kirgizisë, Bishkek, gjithashtu u është drejtuar firmave kineze për kamerat e njohjes së fytyrës.

Edhe Rusia është mbështetur te Huawei për gjeneratën e ardhshme të rrjeteve të telekomunikimit 5G. Një gjë e tillë jo vetëm që forcon vendin e kompanisë kineze në tregun rus, por përmirëson pozicionin e saj edhe në betejën për tregje të tjera në zhvillim.

Siç shkruan Hillman në librin e tij, kjo konkurrencë teknologjike është ende në fazat e saj të hershme dhe mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në vitet e ardhshme.

Huawei, që dikur është parë si fuqi në qarqet e politikave perëndimore, është penguar nga një fushatë diplomatike dhe sanksionesh, e udhëhequr nga SHBA-ja. Kjo e ka detyruar kompaninë kineze të eksperimentojë me linja të reja biznesi dhe të rindërtojë një zinxhir furnizimi të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.

Në muajin gusht, Huawei ka njoftuar se të ardhurat e tij kanë rënë për 29 për qind në gjysmën e parë të vitit 2021.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, India dhe Japonia gjithashtu kanë formuar alternativa për nismën BRI dhe janë përqendruar fuqishëm në infrastrukturën digjitale, megjithëse këto nisma janë ende në fazat e tyre të hershme.

Për Hillmanin, kjo është një nga sfidat më të vështira për SHBA-në, pasi ajo duket se konkurron me Kinën në të gjithë botën.

Deri më tani, shumica e masave të SHBA-së kanë qenë “mbrojtëse”, thotë Hillman - të tilla si sanksionet dhe kontrollet e eksportit.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara do të duhet të lëvizin në “ofensivë”, duke zhvilluar teknologji të reja dhe duke zgjeruar qasjen në informacion.

“Ekziston rreziku për vetëm kritika ndaj aktiviteteve të Kinës, pa ofruar alternativa të besueshme”, thotë Hillman. “Ne duhet të mendojmë se si të konkurrojmë dhe jo vetëm të kritikojmë”, thekson ai./Rel/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat