Siri, disa gra nga vendet perëndimore thonë se nuk e mbështesin më Shtetin Islamik

Azia

Siri, disa gra nga vendet perëndimore thonë se nuk e mbështesin më Shtetin Islamik

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 19:55
Siri

Disa gra nga vendet perëndimore që iu bashkuan Shtetit Islamik thonë se kanë ndryshuar dhe janë gati të kthehen në vendet e tyre. Këto gra aktualisht jetojnë në një kamp në verilindje të Sirisë, ku po strehohen mijëra familje të luftëtarëve të Shtetit Islamik.

Rreth 2,500 gra dhe fëmijë me lidhje me grupin terrorist të Shtetit Islamik jetojnë në një kamp refugjatësh në verilindje të Sirisë.

Shumica u dërguan atje pasi Forcat Demokratike Siriane, SDF të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, morën nën kontroll bastionin e fundit të Shtetit Islamik në territorin sirian në mars të vitit 2019.

Tani, disa gra nga vendet perëndimore që jetojnë në kamp pohojnë se nuk janë më të radikalizuara dhe duan të kthehen në vendet e tyre.

“Jessica” është pseudonimi i njërës prej këtyre grave, e cila thotë se është nga Franca. “Jessica” pretendon se ajo dhe një grup i grave të tjera në kampin e refugjatëve nuk e mbështesin më Shtetin Islamik.

“Ne jemi një grup i vogël, ndoshta 10 gra. Ne kemi ndryshuar. Ne jemi të forta së bashku. Ne ndihmojmë njëra-tjetrën sepse pjesa tjetër e grave nuk e pëlqejnë ndryshimin tonë. Ato duan që ne të kthehemi në Daesh (Shtetin Islamik)".

“Jessica” dhe gratë e tjera që pretendojnë se kanë ndryshuar thonë se janë denoncuar nga gratë e tjera në kamp që ende mbështesin ideologjinë radikale të Shtetit Islamik.

Një grua kanadeze, thotë se u lehtësua kur militantët e Shtetit Islamik përfundimisht u mposhtën në Sirinë lindore nga forcat amerikane dhe ato vendore.

"Unë kurrë nuk kam patur një ideologji të Shtetit Islamik. Burri im ishte këtu dhe ai më tha të vija si infermiere dhe ai do të më mësonte. E vetmja gjë që kam mësuar nga Shteti Islamik ishte ajo që nuk duhej bërë. Pra, unë isha jashtëzakonisht e lumtur kur u shpëtova dhe kur pashë amerikanët dhe forcat demokratike siriane. Për mua, kjo nuk ishte diçka negative”, thotë Kimberly.

Autoritetet lokale po u bëjnë thirrje vendeve perëndimore të riatdhesojnë qytetarët e tyre. Ndërsa disa prej tyre, veçanërisht gratë dhe fëmijët, janë kthyer, shumica mbeten të burgosur në këtë dhe qendra të tjera paraburgimi në verilindje të Sirisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat