Irani e konsideron shaka donacionin e jugkoreanëve me maska

Azia

Irani e konsideron shaka donacionin e jugkoreanëve me maska

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 20:26
Ambasadori i Koresë Jugore, Yun Kang-hyeo, shihet me stafin e një spitali në Iran, pas dorëzimit të maskave mbrojtëse kundër koronavirusit.

Donacioni i Koresë Jugore me 2,000 maska për mbrojtje ndaj koronavirusit në një spital privat në Iran, është parë si gjest i vullnetit të mirë, me qëllim të lehtësimit të mosmarrëveshjes për fondet e ngrira iraniane në Seul, si pasojë e sanksioneve amerikane.

Mirëpo kur Ambasada e Koresë Jugore ka publikuar në rrjetet sociale fotografitë e ambasadorit Yun Kang-hyeo me stafin e spitalit Atieh në Teheran dhe ua ka prezantuar kutitë me maska, kjo gjë ka provokuar tension.

Shumë iranianë kanë reaguar me zemërim në Twitter, disa prej të cilëve e kanë konsideruar këtë veprim si “shaka”, “ofendim” dhe “nënçmim” me kombin që është përballur me numrin më të madh të vdekjeve me këtë virus në Lindje të Mesme, ndërkohë që është penalizuar nga sanksionet amerikane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, e ka konsideruar donacionin “shaka”, duke shtuar se “asnjë shtet nuk do të tolerojë që një komb tjetër të vjedhë nga ai”.

Khatibzadeh ka thënë se Koreja Jugore duhet t’i kthejë rreth shtatë miliardë dollarët e fondeve të ngrira iraniane, që gjenden në dy banka jugkoreane.

Koreja Jugore ka qenë një prej blerëseve më të mëdha të naftës iraniane.

Mirëpo Seuli ka ndalur importet pasi më 2018, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërorë më 2015.

Përveç kësaj, Trump ka vendosur sanksione të ashpra kundër Republikës Islamike.

Marrëveshja parasheh lirim të sanksioneve për Iranin, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Mospajtimet në mes të Teheranit dhe Seulit për fondet e ngrira janë rritur në muajt e fundit.

Në muajin prill, Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka liruar një cisternë të naftës, tre muaj pasi e ka konfiskuar atë nën supozimet e ndotjes nga nafta.

Ky veprim është parë si tentim për ta detyruar Korenë Jugore që të lëshojë fondet e ngrira. Mirëpo, Seuli ka qenë i kujdesshëm në këtë drejtim, pasi në rast të lëshimit do të mund të përballej me ndëshkime për shkelje të sanksioneve amerikane.

“Kredibiliteti i humbur” i Koresë Jugore

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, nuk ka qenë figura e vetme publike që ka shprehur pakënaqësi për donacionin e maskave.

Ligjvënësi Alireza Salimi, ka pyetur më 2 nëntor nga Parlamenti iranian nëse Koreja Jugore e di sa maska dhe vaksina kundër COVID-19 mund të blejë Irani vetëm nga interesi i mbledhur prej fondeve që po mbahen në atë shtet.

Salimi ka shtuar se Koreja Jugore nuk mund ta rindërtojë “kredibilitetin e humbur” tek iranianët, vetëm përmes dorëzimit të disa maskave.

“Ata duhet ta dëshmojnë se janë vend i pavarur dhe mund të qëndrojnë mbrapa përkushtimeve të tyre”, është cituar të ketë thënë Salimi sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA.

Javan, e përditshme iraniane e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, ka thënë se Koreja Jugore dhe “ambasadori i saj i qelbur” në Teheran, duhet të ndëshkohen me “poshtërim”.

“Dëbimi i tij nga shteti nuk është përgjigje ndaj kësaj pafytyrësie”, ka thënë thënë kjo gazetë në editorialin e publikuar më 2 nëntor.

Javan ka kritikuar edhe stafin e Spitalit Atieh për pranim të donacioneve dhe Khatibzadeh që ka sugjeruar se ky veprim ka qenë për të qeshur.

“Kjo nuk ka qenë shaka për të qeshur”, ka thënë gazeta, duke shtuar se “nëse Koreja Jugore është e shqetësuar për Iranin, do t’ia kishte kthyer fondet dhe nuk do t’i kishte bllokuar në kohën e sanksioneve dhe koronavirusit që kanë vështirësuar jetët e njerëzve”.

“Na i ktheni paratë tona”

E tërë kjo situatë ka nxitur reagime nga Ambasada e Koresë Jugore në Teheran, e cila ka përmendur gjashtë dekada të lidhjeve shoqërore ndërmjet të dyja vendeve dhe ka publikuar një listë të ndihmës humanitare, që Seuli ia ka dërguar Iranit në muajt e fundit.

Në kuadër të ndihmës është përfshirë donacioni i një milion dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca në muajin tetor, dërgimin e një milion maskave mbrojtëse në korrik dhe ndarjen e 27 milionë dollarëve si ndihmë për autoritetet iraniane që të përballen me refugjatët e zhvendosur afganë.

Ambasada ka thënë se pjesa tjetër e ndihmës humanitare do të ndahet “shumë shpejt”.

Kundërthëniet për maska kanë ardhur pas një vendimi të marrë në muajin shtator nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei që të ndalojë importimin e pajisjeve shtëpiake që janë prodhuar nga Koreja Jugore.

Iranianët e linjës së ashpër, këtë vendim ndaj Koresë Jugore e kanë parë si “ndëshkim”, i cili, sipas tyre, është nënshtruar ndaj “presionit ilegal” të Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka thënë në muajin tetor se i ka treguar homologut të tij jugkorean, Chung Eui-yong se Banka Qendrore e Iranit ka vendosur të nisë ankesë zyrtare kundër bankave jugkoreane për moslirim të parave të Iranit.

Ai, po ashtu, ka sugjeruar se televizioni shtetëror iranian mund të ndalë transmetimin e emisioneve televizive të Koresë Jugore.

Image
Tjetër fotografi e ministrit jugkorean gjatë takimit në spitalin e Iranit.

“I kam thënë se fëmijët tanë shohin nëpër shtëpitë e tyre emisione koreane dhe e kam pyetur nëse këta koreanë janë të njëjtë me ata që nuk na i kthejnë paratë”, ka thënë Amir-Abdollahian.

Chung ka mbrojtur vendimin e Seulit, duke thënë se ka përdorur pjesë të fondeve të ngrira të Iranit për të shlyer detyrimet vjetore të Iranit në Kombet e Bashkuara.

Në muajin shkurt, Irani ka thënë se Sueli është pajtuar për të lëshuar “një pjesë” të aseteve të bllokuara.

Në muajin mars, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të kundërshtojnë lirimin e miliarda dollarëve të fondeve iraniane në Korenë Jugore, derisa Teherani të veprojë plotësisht në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Presidenti amerikan, Joe Biden, që ka nisur së udhëhequri Shtetet e Bashkuara në muajin janar, ka thënë se është i interesuar për të ringjallur marrëveshjen, mirëpo disa raunde të bisedimeve jo të drejtpërdrejta, që kanë nisur në muajin prill, kanë dështuar që të përmbyllen me një marrëveshje.

Si përgjigje ndaj largimit të Trumpit nga marrëveshja bërthamore dhe rikthimi i sanksioneve, Teherani gradualisht ka shkelur disa pika të marrëveshjes, përfshirë pasurimin e uraniumit, si dhe instalimin e centrifugave të avancuara.

Javën e kaluar Irani ka thënë se do t’iu rikthehet bisedimeve që mëtojnë ta rigjallin marrëveshjen, në fund të muajit nëntor./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat