Irani, manovra ushtarake para rifillimit të bisedimeve bërthamore

Azia

Irani, manovra ushtarake para rifillimit të bisedimeve bërthamore

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 00:17
Ilustrim

Ushtria e Iranit ka nisur manovrat ushtarake të përvitshme pranë Gjirit Persik, njoftoi televizioni shtetëror iranian, disa javë përpara rifillimit të bisedimeve mes Teheranit dhe fuqive botërore për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Manovrat po zhvillohen në një territor të gjerë, në pjesën lindore të ngushticës së Hormuzit deri në atë veriore të Oqeanit Indian dhe në disa pjesë të Detit të Kuq, njoftoi televizioni shtetëror. Rreth një e pesta e naftës që konsumohet globalisht kalon përmes rrugës ujore strategjike të ngushticës së Hormuzit.

Që nga viti 2018 ka patur incidente periodike mes ushtrisë së Iranit dhe forcave amerikane në Gjirin Persik, kohë kur ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga pakti bërthamor dhe rivendosi sanksione të ashpra kundër Teheranit.

Irani ka reaguar duke shkelur kufizimet e parashikuara në marrëveshje për programin e tij bërthamor.

Bisedimet indirekte mes Iranit dhe administratës së Presidentit amerikan Joe Biden për të ringjallur marrëveshjen bërthamore, të cilat ishin pezulluar që nga zgjedhja në qershor e presidentit të vijës së ashpër të Iranit Ebrahim Raisi , do të rifillojnë në Vjenë më 29 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat