Mosreagimi ndërkombëtar ndaj Kinës zemëron ujgurët

Azia

Mosreagimi ndërkombëtar ndaj Kinës zemëron ujgurët

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 18:17
Policia duke patrulluar afër xhamisë Id Kah në Kashgar, në rajonin e Ksinjiangut

Katër vjet pasi Pekini nisi shtypjen brutale, që përfshiu më shumë se një milion ujgurë, kazakë dhe minoritete të tjera myslimane në kampet e ndalimit dhe burgje në provincën Ksinjiang, anëtarët e diasporës së ujgurëve dhe aktivistët janë të frustruar mbi mungesën e njohjes ndërkombëtare për të gjitha mizoritë që pretendojnë se i ka kryer Qeveria kineze.

Autoritetet kineze janë akuzuar se kanë imponuar punën e detyrueshme, internimin masiv, kontrollin e natalitetit, fshirjen e identitetit fetar dhe kulturor të ujgurëve dhe ndarjen e fëmijëve nga prindërit që janë të burgosur.

Këto veprime kanë nxitur akuza për gjenocid nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe disa qeveri perëndimore, që kanë rezultuar në sanksione ndaj disa zyrtarëve të lartë kinezë në provincën perëndimore, Ksinjiang.

Pavarësisht këtyre lëvizjeve dhe provave të shumta që dëshmojnë abuzime të tilla, anëtarët e komunitetit ujgur dhe hulumtuesit që merren me këto çështje, thanë se nuk ka pasur mjaftueshëm veprime politike dhe ligjore ndërkombëtare dhe kanë kërkuar rritje të presionit global gjatë takimit më 11-14 nëntor në Pragë, që u organizua nga Kongresi Botëror Ujgur – një organizatë ndërkombëtare e grupeve etnike të diasporës që janë të shpërndarë në 25 shtetet në Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme, Evropë dhe Amerikë Veriore.

“Në përgjithësi, përgjigja ndërkombëtare ka qenë e tmerrshme dhe shumë e turpshme. Ka qenë jashtëzakonisht e pamjaftueshme duke pasur parasysh mizoritë e kryera”, tha për Radion Evropa e Lirë, Adrian Zenz, ekspert i politikave etnike të Kinës, i cili ka publikuar prova të hollësishme të abuzimeve të pretenduara të Pekinit ndaj ujgurëve.

Edhe pse takimi që u mbajt në Pragë kishte për qëllim zgjedhjen e udhëheqjes së re të organizatës për një mandat trevjeçar, në këtë takim katërditor po ashtu u organizuan panele me ekspertë ligjorë, me përfaqësues të grupeve të të drejtave të njeriut si dhe të mbijetuarve të kampeve të Kinës – dhe që të gjithë shprehën zhgënjimin për atë që e cilësuan si një reagim të vonuar ndërkombëtar, duke pasur parasysh shkallën dhe ashpërsinë e politikave të Pekinit në Ksinjiang.

“Ujgurët po bëhen të pashpresë sepse bota po i dëshpëron”, tha Zenz.

“Më 2019, ata kishin më shumë shpresë sepse kishte një ndjenjë se sa më shumë prova të paraqitura do të çonin në ndërmarrjen e veprimeve, por asgjë nuk ka ndryshuar. Populli dhe qeveritë nuk po veprojnë sipas provave që janë publikuar”, shtoi ai.

Një nivel ‘i paprecedentë’ i provave

Zenz, akademik gjerman që punon për Viktimat e Komunizmit – një organizatë kërkimore me seli në Shtetet e Bashkuara – ka qenë në vijën e parë të frontit për të mbledhur dhe publikuar prova për ndalimet në masë dhe represionin ndaj ujgurëve, por edhe për kazakët dhe krigizët etnikë dhe grupe të tjera nga Ksinjiangu që kanë rënë pre e persekutimit kinez.

Hulumtimet e tij kanë ndihmuar në zbulimin e shkallës së sigurisë që Pekini ka ngritur në Ksinjiang, provincë ku ka shpenzuar miliarda dollarë në ndërtimin e kampeve të internimit dhe rrjeteve të sofistikuara të teknologjisë së vëzhgimit, po ashtu edhe të rekrutimit në shkallë të gjerë të zyrtarëve policorë që të drejtojnë këto kampe. Një hulumtim tjetër nga Zenz ka dokumentuar sterilizimin e detyrueshëm të grave ujgure, që ka bërë që grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ta akuzojnë Qeverinë kineze për gjenocid, duke treguar se niveli i lindjeve ka rënë dhe po ashtu ka rënë niveli i ndalimeve në masë.

Zyrtarët kinezë kanë mohuar akuzat për gjenocid dhe pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut, duke i cilësuar këto akuza si të pabaza. Zyrtarët kanë thënë se kampet janë si qendra të trajnimeve profesionale ku mësohet gjuha kineze, jepen mësime për trajnime për punë dhe këto kampe ndihmojnë në luftimin e radikalizmit. Në Kinë më 2016 ka qenë një valë e sulmeve terroriste të lidhura me Ksinjiangun.

Image
Gazetarët e huaj bëjnë foto dhe video jashtë lokalcionit që pretendohet se përdoret nga Qeveria kineze për internimin e ujgurëve dhe grupeve të tjera etnike në Ksinjiang. Fotografi e realizuar më 22 prill 2021.

Por, disa prej provave më të fuqishme që tregojnë shkallën e plotë të politikave të Pekinit ndaj Ksinjiangut, hulumtuesit thonë se vijnë nga vet Kina. Më 2019, The New York Times publikoi mbi 400 dokumente të Qeverisë kineze ku detajoheshin politikat se si të shtypeshin minoritetet myslimane në Ksinjiang – dhe këto dokumente e vinin në qendër të këtyre vendimeve presidentin e Kinës, Xi Jingping.

“Ne nuk kemi pasur asnjëherë në kohë reale nivel të tillë të dokumentimit të mizorive”, tha për Radion Evropa e Lirë, Rian Thum, hulumtues i lartë në Universitetin Nottingham dhe ekspert për Ksinjiangun.

“Ne vazhdojmë të mësojnë më shumë teksa publikohen informacione të reja, por nuk ka mungesë të provave. Në fakt, shumica e asaj që dimë vijnë nga dokumentet e Qeverisë kineze”, shtoi Thum.

Kina ka kohë që ka pasur vështirësi të integrojë ujgurët, një grup mysliman me 13 milionë banorë me lidhje të ngushta gjuhësore, etnike dhe kulturore me Turqinë dhe Azinë Qendrore. Politikat në Ksinjiang ka lëvizur para e prapa për dekada me radhë, por ato morën drejtim më të ashpër nën udhëheqjen e presidentit Xi, që kulmoi me shtypjen dhe ngritjen e kampeve që u hapën më 2017.

Pekini po ashtu ka heshtur edhe ujgurët që jetojnë jashtë, duke monitoruar diasporën dhe duke burgosur apo abuzuar familjarët e tyre në Kinë, nëse anëtarët e diasporës flasin hapur për situatën në Ksinjang.

Shkalla e kësaj përpjekjeje është dokumentuar në një seri të raporteve që u publikuan më 2021 nga organizata Oxus për Çështje të Azisë Qendrore – një organizatë hulumtuese me seli në Uashington – dhe nga Projekti ujgur për të Drejtat e Njeriut.

Përveç shfaqjes së shkallës së frikësimit ndaj komunitetit global ujgur, raportet e publikuara po ashtu tregojnë se si Pekini ka përzgjedhur qeveritë në Azinë Qendrore dhe Jugore – siç është Kazakistani, Pakistani dhe Taxhikistani – që t’i ndihmojë në përpjekjet e tij për të heshtur diskutimet mbi kampet dhe për të ekstraduar ujgurët që jetojnë në rajon për në Kinë.

Taxhikistani po ashtu ka qenë subjekt i disa padive të ngritura së fundmi nga grupe ujgure në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke pretenduar se qeveria e këtij shteti në Azinë Qendrore ka lejuar zyrtarët kinezë që të operojnë në territorin e tij në mënyrë që të dëbojë për në Kinë ujgurët dhe që t’i bindë që të bëhen informatorë.

Provat e reja pretendojnë se për shkak të këtyre përpjekjeve, popullsia ujgure në Taxhikistan ka rënë për mbi 85 për qind dhe në Kirgizi për 87 për qind.

Dëshmitë e dorës së parë nga ata që janë internuar apo që janë detyruar të punojnë në kampe gjithashtu kanë luajtur rol kyç për të ngritur vetëdijen mbi mizoritë e pretenduara në Ksinjiang.

Kazakistani, që është në kufi me Kinën, papritur është shndërruar në një qendër të aktivizmit mbi çështjen e Ksinjiangut, për shkak të lidhjeve familjare që kanë kazakët me minoritetin kazak etnik në këtë provincë kineze. Disa prej ish të ndaluarve në kampet në Ksinjiang kanë publikuar dëshmitë e tyre pasi janë larguar nga Kina për në Kazakistan.

“Ne u kemi dhënë një mal me dëshmi, pse nuk po na besojnë”, tha Qelbinur Sidik, një mësues ujgur që u detyrua të punojë në kamp dhe prej se ka ikur nga atje ka përfituar azil në Holandë.

Përpjekjet për një përgjigje më të fuqishme

Çështja e ujgurëve në Ksinjiang u ngrit edhe gjatë takimit mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij të Kinës, Xi Jingping gjatë samitit të tyre virutal më 15 nëntor.

Deri më tani, Qeveria amerikane dhe parlamentet e Mbretërisë së Bashkuar, Belgjikës, Holandës dhe Kanadasë kanë deklaruar se politikat e Pekinit kundër ujgurëve janë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Shtetet e Bashkuara kanë shkuar edhe më larg, duke bllokuar importet e pambukut dhe domateve nga Ksinjiangu dhe kompanive të lidhura me punën e detyrueshme në këtë rajon. Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve më të ulët kinezë për përfshirjen e dyshuar në organizimin e kampeve.

Po ashtu janë rritur thirrjet për bojkotimin e Lojërave Olimpike Dimërore që mbahen në Pekin më 2022, teksa Human Rights Watch u ka bërë thirrje sponsorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje që t’i bëjnë presion Qeverisë së Kinës dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut të vendit nikoqir të Lojërave.

Po ashtu mbetet e paqartë nëse sanksionet ekonomike do të bindin Pekinin apo kompanitë kineze, që janë të lidhura me punën e detyrueshme në Ksinjiang që të ndryshojnë veprimet e tyre.

Kina është kundërpërgjigjur duke vendosur sanksione nga institucioneve dhe individëve në Perëndim. Po ashtu ka bërë thirrje për bojkotimin e një sërë kompanive, siç janë Nike dhe H&M, pasi këto kompani, në muajin mars shprehën shqetësimet e tyre lidhur me punën e detyrueshme në Ksinjiang.

Ndërkaq, në aspektin diplomatik, Pekini ka arritur që të kundërpërgjigjet.

Mbi 40 shtete, kryesisht perëndimore, në muajin tetor e kishin kritikuar Kinën në Kombet e Bashkuara – që është numri më i madh i shteteve që përmes një deklarate kanë shprehur shqetësimin mbi shkeljet e Kinës – ndërkaq, 62 shtete kanë shprehur përkrahjen e tyre për Pekinin.

Një deklaratë mbështetëse, që u shty përpara nga Kuba, në të cilën thuhej se çështjet në Ksinjiang janë çështje e brendshme, u mbështet nga një grup i madh i shteteve në botën e zhvilluar. Shumica e shteteve që mbështetën këtë deklaratë përfitojnë nga investimet e Kinës dhe kanë marrë ndihmë të konsiderueshme nga Pekini.

“Qeveria kineze do të reagojë aq sa ka kundërshti, që kryesisht vijnë nga Perëndimi”, tha Thum. “Një përgjigje globale do të ishte ndryshe, por është vështirë të imagjinohet se mund të ndodhë, duke pasur parasysh numrin e shteteve që varen nga angazhimi ekonomik i Kinës”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat