IS-K merr përgjegjësinë për dy shpërthime vdekjeprurëse në Kabul

Azia

IS-K merr përgjegjësinë për dy shpërthime vdekjeprurëse në Kabul

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 08:21
Pamje nga vendi ku ka ndodhur njëri sulm në Kabul më 17 nëntor.

Një degë e grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Afganistan, ka marrë përgjegjësinë për dy shpërthime në Kabul, të cilat kanë lënë të vdekur të paktën një person dhe kanë plagosur gjashtë të tjerë.

Për viktimat është raportuar pas shpërthimit të parë më 17 nëntor, në lagjen me myslimanë shiitë, Dasht-e Barçi në perëndim të Kabulit, ka raportuar agjencia TOLO, duke cituar një zyrtar taliban.

Tri gra kanë qenë në mesin e të plagosurve, ka thënë Saeed Khosti, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Qeverinë e udhëhequr nga talibanët.

Një zyrtar i talibanëve, që ka folur për agjencinë e lajmeve AFP, ka thënë se dy persona kanë vdekur, duke shtuar se informacionet zyrtare kanë treguar se bomba ka qenë e ngjitur në një autobus të vogël.

Hetimet kanë nisur, ka thënë ky zyrtar.

Shpërthimi i dytë ka ndodhur disa orë më vonë në një tjetër lagje.

Dëshmitarët kanë thënë se ka pasur viktima edhe në shpërthimin e dytë, por shifra e saktë nuk dihet ende.

Dega e IS-it ka marrë përgjegjësinë, duke thënë se nga dy shpërthimet kanë vdekur 20 shiitë.

Këto kanë qenë shpërthimet e fundit në kuadër të një serie sulmesh të kryera nga ky grup.

Militantët e këtij grupi radikal tani konsiderohen kërcënimi kryesor për sigurinë në Afganistan, tani që talibanët kanë pushtetin nga muaji gusht./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat